Mesfushori i Djajve të kuq, Paul Pogba, e ka lavdëruar trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, i cili sot u emërua trajner permanent i klubit, pasi nënshkroi kontratë trivjeçare.
Paul Pogba thotë se Ole Gunnar Solskjaer e ka kthyer lirinë në Manchester United, që kur u emërua në pozitën e trajnerit, më 19 dhjetor, pas shkarkimit të Jose Mourinhos, transmeton Gazeta Express.
Vendimi për t’ia dhënë Solskjaerit pozitën e trajnerit permanent është pritur mirë nga tifozët dhe anëtarët e klubit anglez, pasi që norvegjezi besohet se ka bërë mjaftueshëm punë të mirë për ta fituar të drejtën e drejtimit të klubit për të cilin kishte luajtur gjatë karrierës së tij.
Pogba nuk ka asnjë dyshim që Solskjaer është personi i duhur për këtë detyrë. Francezi, i cili verën e kaluar triumfoi në Botëror, ka qenë duke e shijuar futbollin që prej largimit të Mourinhos, pasi që Solskjaer po i jep më shumë liri.
“Kemi kaluar shumë mirë. Rezultatet kanë qenë shumë të mira. Ne e kemi një trajner që po na vlerëson, një trajner vërtet të lumtur. Ai e ka kthyer vetëbesimin te lojtarët”, ka thënë Pogba.
“Ditën e parë që erdha këtu, ai na tha vetëm që ta shijojmë futbollin. Kur nuk e shijon, nuk ka kuptim loja. Ai na tha ta shijojmë lojën së bashku, ta shijojmë sulmin dhe pastaj rezultatet erdhën vetvetiu”.
Solskjaer i kishte shënuar 126 gola në 366 paraqitje për Manchester Unitedin gjatë viteve 1996 dhe 2007, si dhe ishte trajner i ekipit të rezervave deri në fund të vitit 2010, transmeton Gazeta Express.
Norvegjezi u emërua trajner në detyrë i “Djajve të Kuq” më 19 dhjetor të vitit të kaluar, rreth 24 orë pas shkarkimit të Jose Mourinhos, dhe i fitoi tetë ndeshjet e tij të para në këtë pozitë.
Nga gjithsej 19 ndeshjet e zhvilluara që nga atëherë, Solskjaer i fitoi 14 ndeshje, ndërsa i barazoi vetëm dy të tjera, duke marrë më shumë pikë sesa të gjithë klubet e tjera të Premierligës gjatë kësaj kohe.
“Prej ditës kur erdha, u ndieva në shtëpi në këtë klub të veçantë. Ishte nder të isha lojtar i Manchester Unitedit dhe ta filloja karrierën time këtu. Muajt e fundit kanë qenë një përvojë fantastike”, ka thënë Solskjaer.
“Dua t’i falënderoj të gjithë trajnerët, lojtarët e stafin për punën që e kemi bërë deri më tani. Kjo është puna për të cilën kam ëndërruar gjithnjë dhe jam shumë i emocionuar për mundësinë për ta drejtuar këtë klub dhe për sjellë suksesin që tifozët tanë të mrekullueshëm e meritojnë”.
Kur ish-sulmuesi legjendar i “Djajve të kuq” e mori pozitën e trajnerit, klubi i tij ishte i pesti me rekordin më të keq defansiv në Premierligë.
Por, që nga shkarkimi i Jose Mourinhos dhe emërimi i Solskjaerit si trajner i përkohshëm, Manchester Unitedi i ka shënuar 17 gola në 19 ndeshje dhe e ka mbajtur portën e paprekur në shtatë prej tyre.
Gjatë kësaj kohe, vetëm Liverpooli ka rekord më të mirë në mbrojtje se Manchester Unitedi. /Gazeta Express/


