Paul Pogba i ka kritikuar ashpër ata të cilët e kanë vënë në pikëpyetje stilin e lojës dhe veprimet e tij jashtë fushës, duke argumentuar se ta besh një gjë të tillë është sikur ta kritikosh Messin edhe pasi i ka shënuar tri gola.
Që prej transferimit të tij në Manchester United verën e vitit 2016, Pogba është kritikuar vazhdimisht për çdo gjë, nga përdorimi i llogarive personale në rrjetet sociale e deri të ngjyrosja e flokëve. Mesfushori francez është fjalosur edhe me trajnerin e vet portugez, Jose Mourinhon, transmeton Gazeta Express.
Tani, para Kupës së Botës Rusia 2018, ku Franca është njëra prej favoriteve, Pogba e ka mbrojtur stilin dhe veçoritë e lojës së vet, duke argumentuar se të njëjtën gjë e ka bërë edhe gjatë kohërave të suksesshme, por po ashtu e ka lidhur këtë edhe me dike që do ta kritikonte Lionel Messin se nuk vrapon mjaftueshëm në fushë.
“Gjithmonë kam qenë kështu. Kur kam fituar, kam fituar duke qenë kështu. Ky është stili i lojës sime”, ka thënë Pogba për France Football.
“Nuk do ta kritikoni Messin kur ec në fushë. Nëse ai i shënon tri gola, a do të thoni: ‘Ah, por ai po ec në fushë?’. Jo, nuk mund të më tregoni si të luaj”, shtoi ai. /Gazeta Express/


