Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Louis Saha, e ka kritikuar sjelljen e Paul Pogbas që i ka nxitur spekulimet se francezi dëshiron të largohet nga klubi anglez gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Lajmet se Paul Pogba do të transferohet në Juventus ose në Real Madrid nuk kanë të ndalur këtë verë, pasi që vetë lojtari i nxiti këto lajme duke deklaruar se e dëshiron një sfidë të re në karrierën e vet, transmeton Gazeta Express.
Saha, i cili i fitoi dy tituj të Premierligës dhe një të Ligës së Kampionëve në “Teatrin e Ëndrrave”, beson se 26-vjeçari ka shkaktuar probleme me deklaratën e tij për mundësinë e largimit nga Manchester Unitedi.
“Jam pak i irrituar nga ajo që Pogba e tha, por çfarë mund të bësh?”, tha Saha në një intervistë për The New Paper në Malajzi, në një event të organizuar për bamirësi.
“Unë e kam të vështirë ta kuptojë pse lojtarët e shprehin veten në atë mënyrë. Sado që mund ta duan një transferim, unë e kuptoj këtë, por nuk mendoj se kjo është diçka që duhet të bëhet. Unë jam veçanërisht i zhgënjyer sepse ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për klubin”.
“Shpresoj se ai mund të mbetet me Manchester Unitedin, por është e vështirë ta shohësh një gjë të tillë sepse kur shpreh diçka si kjo, bëhet një situatë e vështirë për t’u menaxhuar. Nuk do të jetë e lehtë për Olen [trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer]”.
Pogba nuk është kthyer ende në stërvitje me Manchester Unitedin për turneun parasezonal. Postimet e tij në llogarinë e vet në Instagram tregojnë se ai është ende me pushime në Nju Jork. /Gazeta Express/


