Policia thotë se ka arrestuar dy persona të dyshuar për plagosjen e avokatit të njohur kosovar, Azem Vllasi.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, përcjell kallxo.com, ka thënë se një operacion i gjerë hetimi e kërkimi është ndërmarrë sapo policia ka marrë informatën për incidentin e mëngjesit të sotëm.
“Në bashkëpunim të ngushtë me AKI ka bërë lokalizimin e personave të dyshuar. Është arritur që të arrestohen dy persona të dyshuar. I dyshuari i parë është M.J., 1956, që dyshohet si kryes i tentim- vrasjes ndërsa i dyshuari i dytë është A.M., 1964, i cili dyshohet si pjesëmarrës në këtë rast”.
Kelani tha se dyshohet që tentim-vrasja është kryer me një armë në të cilën ka qenë i vendosur një silenciator.
Avokati Azem Vllasi u plagos sot në mëngjes te banesa e tij, në rr. “Hajdar Dushi”, në Prishtinë.


