Andrea Pirlo beson se Antonio Conte mund t’i ofrojë më shumë Interit sesa Jose Mourinho, pas spekulimeve se italiani do ta jetë zëvendësuesi i Luciano Spallettit në pozitën e trajnerit të zikaltërve.
Antonio Conte pritet të emërohet trajner i Interit së shpejti, përkundër që trajneri aktual, Luciano Spalletti, e siguroi kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve për të dytin sezon radhazi, transmeton Gazeta Express.
Ish-trajneri i Interit, Mourinho, spekulohej se mund të kthehet gjithashtu në klub. Megjithatë, Pirlo, i cili kishte luajtur nën drejtimin e Contes në Juventus, beson se ish-trajneri i Italisë përshtatet më mirë me zikaltrit.
“Sipas mendimit tim, Conte mund t’i sjell më shumë Interit sesa Mourinho, veçanërisht sa i përket strukturës dhe agonizmit. Nëse ai do të vinte, tifozët do ta mbështesin skuadrën edhe më shumë, ata do t’i qëndrojnë lojtarëve më afër”, ka thënë Pirlo.
Spekulimet se Conte mund ta marrë pozitën e trajnerit në Interit kanë bërë që të flitet edhe për një transferim të mundshëm të sulmuesit Romelu Lukaku nga Manchester Unitedi.
Conte besohet se kishte dashur ta transferonte Lukakun edhe gjatë kohës së tij në Chelsea, mirëpo në atë kohë, në vitin 2017, belgu preferoi të shkonte te “Djajtë e kuq” për 75 milionë funte.
Lajmet se Lukaku mund të vijë kanë bërë që e ardhmja e Mauro Icardit të vihet edhe më shumë në dyshim, pasi klubi vendosi t’ia marrë atij shiritin e kapitenit në shkurt.
“Nuk mendoj se Mauro është sulmues i mirë për stilin e Contes. Conte dëshiron sulmues të cilët mund të lidhen shumë mirë me pjesën tjetër të skuadrës, ai do sulmues që ia pasojnë njëri-tjetrit topin dhe Icardi nuk e bën këtë shumë shpesh”, shtoi Pirlo. /Gazeta Express/


