Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka thënë se ka folur me mbrojtësin spanjoll të Real Madridit, Dani Carvajal, pasi Reali e ka fituar titullin e La Ligës, duke insistuar se lojtarët e Realit nuk kanë pse t’i kërkojnë falje atij.
Ylli spanjoll i Barces rregullisht ka pasur përleshje verbale me rivalët e tij të përbetuar, por pas kthimit nga udhëtimi në Itali, Pique ka theksuar se nuk ka probleme me lojtarët e Zinedine Zidane të cilët janë argëtuar pas fitimit të La Ligës duke e quajtur Piquen bastard dhe duke i kërkuar që t’ua urojë fitimin e ligës, transmeton Express.
“Jo, nuk ndihem i ofenduar aspak,” ka thënë Pique, teksa është rikthyer për t’u përgatitur për ndeshjen finale të Barcës në Copa del Rey kundër Alaves.
“Askush nga Madridi s’ka pse të më kërkojë falje. Tashmë kam folur me Danin dhe gjithçka është në rregull. Është normale, ata janë të lumtur që e kanë fituar ligën dhe kjo është e tera, është dashur të festonin,” ka thënë Pique./Express/


