Stefano Pioli falënderoi skuadrën që luajti me shpirt dhe guxim për të mposhtur Paris Saint-Germainin sonte, por paralajmëroi Rafael Leaon se ai duhet të luajë si sonte edhe në ndeshjet tjera.
Milani regjistroi fitore të rëndësishme ndaj parisienëve, për të mbetur në garë për dy pozitat e para në Grupin F në Ligën e Kampionëve, shkruan Gazeta Express.
Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2:1, në ndeshjen e zhvilluar në “San Siro”.
Fitorja e parë në këtë garë për Milanin erdhi pas humbjes në fundjavën e fundit ndaj Udinese, në Serie A.
“Ajo kundër Udineses ishte një nga paraqitjet tona më të këqija, por ne bëmë atë që duhej të bënim sonte, duke reaguar me shpirt, guxim dhe duke ditur se duhej të bënim një përpjekje të jashtëzakonshme të gjithë së bashku kundër një ekipi të jashtëzakonshëm”, tha Pioli për “Sky Sport Italia” pas ndeshjes.
“Duhet të lavdëroj djemtë për punën dhe performancën e shkëlqyer. E dinim që ishte një lojë e rëndësishme për grupin, tani do ta kemi atë si vendas me Borussia Dortmund”, shtoi ai.
Pioli u pyet se si arriti t’i motivonte lojtarët nga humbja në shtëpi ndaj Udineses të shtunën.
“Unë besoj se shumë herë mënyra se si skuadra flet me njëri-tjetrin është më efektive sesa ajo që mund t’u thotë trajneri. Ndonjëherë nuk ishim aq energjikë, aq të vendosur dhe aq të fokusuar. Thjesht u përpoqa t’u kujtoja cilësitë e tyre, aftësitë e tyre dhe se ata mund t’i dhuronin tifozëve një natë të tillë. Është e qartë, unë gjithmonë do të doja të shihja një Milan si ky. Fatkeqësisht, mendoj se e kemi marrë shumë gabim qasjen kundër Udineses, por skuadra ka një shpirt. PSG luajti mirë, e mbajti topin më shumë dhe kjo ishte pjesërisht një zgjedhje taktike. Ne përsëri patëm shanset për të shënuar shumë më shumë gola sesa bëmë, kështu që është vetëm një hap i vogël përpara. Unë thashë kur u hodh shorti që ky grup do të zbriste në ndeshjen finale dhe i qëndroj kësaj”, deklaroi tekniku italian.
Rafael Leao, që pati një paraqitje fantastike sonte dhe ishte autori i një goli, u zgjodh “Lojtari i Ndeshjes” nga UEFA.
“Rafa duhet ta arrijë këtë nivel gjatë gjithë kohës. Ai mund të jetë kampion, por varet nga obsesioni për të luajtur në atë nivel në çdo ndeshje”, tha Pioli. /Gazeta Express/