Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së vendit, Shaban Tasholli, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë në konsideratë projektligjin e tyre të ri që kërkon sistemizimin e pagave të policisë.
Sipas Tashollit, qeveria ka nxjerrë një projektligj të ri që aspak nuk përputhet dhe nuk përkon me kërkesat e punëtorëve të këtij institucioni të sigurisë, njofton Klan Kosova.
Këto deklarime Shaban Tasholli i dha në “Ora e Fundit”, derisa ka shtuar se edhe çështja e sigurimit shëndetësor është problem për Policinë e Kosovës, madje, sipas tij, dhe çështja e rritjes së pagave për policinë është harruar.
”Qeveria nuk ka marrë në konsideratë projektligjin që ne kemi bërë”.
”Kemi kërkuar sistemizimin e pagave të policisë por Qeveria nuk e ka përfillur atë, ajo ka bërë një projektligj që për ne është i papranueshëm”.
”Ne në fund të vitit kemi kërkuar një shtesë, ajo shtesë nuk ka ndodhur, janë arsyetuar se kemi disa projekte të reja për veteranët”.
”Ne kemi pritur rritje të pagës, ne s’kemi rritje të pagës tash e disa vite”.
”Nga 2016 është premtuar e po ashtu nga 2015-ta e tani po fillojmë edhe 2017-n dhe sigurimi shëndetësor nuk po ndodh”.
”Kemi afër 2000 policë që janë të lënduar në detyrë. Kemi një rregullore në policinë e Kosovës që policëve të lënduar shpenzimet e trajtimeve iu largohen”.
”Objekti në stacionin 4 nuk është pronë e Policisë. Nuk e di si do të përfundojë por besoj që do të ketë një hapësirë për objektin tonë”.
”Kishim bisedë telefonike me grupin parlamentar për siguri, por ata ende nuk e dinë sakt projektligjin”.
”Sindikata do të marrë hapa të tjerë se si të vazhdohet më tutje në rast se nuk pranohen kërkesat tona”, ka përfunduar Tasholli.


