Personat me dëmtime intelektuale, të izoluar e anatemuar nga shoqëria

PUBLIKUAR

Për disa persona me dëmtime intelektuale, liria e lëvizjes ishte e pamundshme apo ishin të “izoluar” nga anëtarët e familjes së tyre për shkak të paragjykimeve të shoqërisë në Kosovë. E, dëshira e tyre për socializim, për liri të lëvizjes, për angazhim në aktivitete të ndryshme, ishte mjaft e madhe.

Lumnije Demolli është 36-vjeçare dhe ka dëmtime të tilla. Ajo për më shumë se 25 vite ka qenë e izoluar në shtëpi. Lumnija nuk ka shkuar as në shkollë dhe nuk ka ditur as shkrim-lexim, për shkak të mospërkrahjes nga ana e familjes, si dhe ofendimit dhe fyerjes nga fqinjët dhe fëmijët e lagjes.

Mirëpo, tashmë Lumnija ka arritur që të angazhohet në punë, pasi është bërë anëtare e Organizatës Joqeveritare “Dëshira”. Kjo qendër është ditore dhe shërben për rehabilitimin e personave me probleme në sferën e shëndetit mendor.

“Kam jetuar me babanë, gjyshin edhe gjyshen. Te tre tashmë kanë vdekur. Tash unë vazhdoj të vij në klub. Jam shumë e gëzuar se këtu kam mësuar shkrim e lexim. Edhe më kanë aktivizuar në organizatën ‘Down Sindrom Kosova’. Atje shkoj me vullnet dhe iu ndihmoj të pastrojnë. Më respektojnë dhe i respektoj gjithashtu”, thotë ajo. “Përpara nuk mundesha me dalë jashtë shtëpisë, se nuk më lejonin. Tash jam e lumtur që vij”.

Pas vdekjes së babait, Lumnija jeton me axhën dhe është nën përkujdesjen e familjes së tij.

“Nuk më përkrahin; nuk më trajtojnë mirë. E kam një shoqe. Kam dëshirë të dal me të. Por, nuk më lejojnë, se më thonë që po të mashtron ajo, se po t’i merr paratë. M’i kërkojnë paratë që i fitoj duke punuar. Edhe pse e kam shtëpinë e babës, nuk më lënë të jetoj aty. Unë nuk kam përkrahje që të mund ta rikthej shtëpinë në emër timin, që të shkoj tek avokati se s’kam para”, shton ajo.

Nusret Shillova, drejtor i organizatës joqeveritare “Dëshira”, thotë se personat të cilët e vizitojnë këtë qendër janë femra dhe meshkuj të moshës madhore, 18-60 vjeçare. Aty frekuentojnë rreth 15-20 persona, derisa shoqata gjithsej numëron 150 anëtarë.

“Ka raste që kanë qenë të izoluar, të mbyllur në shtëpi për arsye të ndryshme. Ka anëtarë që asnjë ditë nuk kanë vijuar asnjë ditë mësimin në shkolla”, thotë ai. “Motoja e shoqatës është integrimi i tyre në shoqëri. Por, ky integrim nuk bëhet vetëm prej neve, se na duhet edhe mbështetje institucionale nga të gjitha anët”.

Edhe Blerta Krasniqi, 27-vjeçare, që është me dëmtime intelektuale, thotë se ka jetuar e ngujuar në shtëpi, derisa ka filluar të frekuentojë shoqatën “Dëshira”.

“Veç me nënën time kam shkuar. Tash vij këtu në klubin ‘Dëshira’ dhe kënaqem shumë. Krejt rrugët i kam mësuar. Vet vij e vet shkoj. Këtu mësojmë me kompjuter e anglisht kapak. Shumica kanë mësuar shkrim e lexim. Unë nuk kam shkuar në shkollë. Vetëm katër klasat e fillores i kam kryer”, tregon Blerta.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se i kanë përkrahur financiarisht me një projekt dy mujor.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ofroi një subvencion për dy muaj për projektin ‘Mbështetja e personave me dëmtime intelektuale në punëtori, punësimi dhe tregu i punës’. Varësisht nga ndarja e buxhetit, për vitin e ardhshëm do të shqyrtojmë mundësinë për ta ndihmuar edhe më tej klubin ‘Dëshira’”, ka thënë Musa Demiri, zyrtar për informim në këtë Ministri.

Veronika Bajçinovci, nga Kompania “In- Design”, kompani kjo që merret me marketing dhe printim, thotë janë duke bërë përpjekje që rreth 15 persona me dëmtime intelektuale, përfshirë edhe persona të prekur me sindromin Dawn, t’i punësojnë në zyrat e kësaj kompanie.

“Puna që ne do t’u ofrojmë është kryesisht punë me pajisje në distribuim, marketing, punë me makina shtypëse etj. Mendoj që në fund të ditës, secili prej tyre do të ndihet mirë që sadopak ka kontribuar. Orari sigurisht se do të jetë i shkurtër dhe këta do të paguhen për punën e tyre”, thotë Bajçinovci.

Ndryshe, sipas të dhënave, sëmundjet me çrregullime mendore në Kosovë kanë arritur që të radhiten me 35 për qind të sëmundjeve të përgjithshme. Rritja e numrit të personave me çrregullime mendore ka rritur edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë viteve të fundit. /REL/

SHIKO MË SHUMË

“Drejtësi e vonuar”, Mërgim Lushtaku reagon pas vendimit për babanë e tij

Mërgim Lushtaku ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim lirues për babanë...

Arrestohet një person, dyshohet që ushtroj dhunë psikike në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për ushtrim...

Dhunë në Shtime: Një person bëhet për spital, në pranga 27-vjeçari

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur...