Përparim Rama i reagon Kurtit: Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë që institucionet të përdoren për kalkulime politike

PUBLIKUAR

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova s’është pronë e Albin Kurtit dhe se Kushtetuta s’është mjet për manipulime politike, shkruan Express.

Rama ka thënë se ajo që po shihet në Kuvend është një lojë e rrezikshme me shtetin, ndërkohë që Albin Kurti po i vazhdon kalkulimet pë për pushtet.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt”, ka shkruar Rama.

Ai ia ka shtruar një varg pyetjesh dhe e ka ftuar Kurtin që të marrë përgjegjësi për atë se si po e menaxhon këtë krizë.

Reagimi i plotë:

KOSOVA NUK ËSHTË PRONË E ALBIN KURTIT. KUSHTETUTA NUK ËSHTË MJET PËR MANIPULIME POLITIKE!

Të dashur qytetarë,

Ajo që po shohim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është papërgjegjësi e rëndë institucionale dhe një lojë e rrezikshme me funksionimin e shtetit.

Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt.

SHTETI ËSHTË MBI PARTINË!

Albin Kurti duhet t’u përgjigjet qytetarëve:

Pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit?

Pse institucionet e Republikës po përdoren për kalkulime politike?

Deri kur do të prodhoni kriza vetëm pse nuk i keni numrat për pushtetin që kërkoni?

Kush ua ka dhënë të drejtën ta trajtoni Republikën e Kosovës sikur të ishte pronë e partisë suaj?

Kur i kanë numrat, flasin për demokraci.

Kur nuk i kanë, prodhojnë bllokadë.

Kur u konvenon Kushtetuta, e citojnë.

Kur nuk u konvenon, kërkojnë kohë dhe arsyetime.

Mjaft!

Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.

Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve.

Deri kur do të jetojë ky popull në krizë, tension dhe përçarje politike?

Populli i Kosovës nuk meriton politikanë përçarës që prodhojnë vazhdimisht kriza dhe trauma.

Ka mjaft vuajtje ky popull.

Ka mjaft përçarje.

Ka mjaft kriza.

Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë, demokracinë dhe shtetin e saj që institucionet sot të përdoren si monedhë për kalkulime politike.

Albin Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po e menaxhon këtë krizë. Detyra e një Kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit.

Kosovës i duhet stabilitet.

Kosovës i duhen institucione funksionale.

Kosovës i duhet respekt për Kushtetutën.

Kosovës i duhet lidership që bashkon dhe merr përgjegjësi.

Kuvendi u përket qytetarëve.

Kushtetuta mbron Republikën.

Institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve.

Askush nuk është mbi Kushtetutën.

Askush nuk është mbi institucionet.

Askush nuk është mbi Republikën e Kosovës!

Albin Kurti, pushteti është i përkohshëm.

KOSOVA ËSHTË E PËRHERSHME!

SHTETI ËSHTË I SHENJTË!

 

SHIKO MË SHUMË

Kurti me dy duart duke u mbrojtur nga vezët, Nol Nushi e tall: Pamje të tij si ushtar më 1999

Anëtari i PSD’së, Nol Nushi, është tallur me kreun e LVV’së, Albin Kurti, pasi...

Aksident me fatalitet në Prishtinë, një person humb jetën dhe një tjetër lëndohet

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një...

S’ka propozim për kryeparlamentar, Dehari ndërprenë seancën

Kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari, i ka ndërprerë punimet  e vazhdimit të seancës...