Përballja Shqipëri-Serbi, më shumë se lojë futbolli

PUBLIKUAR

Përballja Shqipëri-Serbi, më shumë se lojë futbolli

Ndeshja në mes kombëtares shqiptare dhe asaj serbe, përveç se do të jetë një ballafaqim në fushën e futbollit, ajo në vetvete ngërthen edhe emocione të forta të të dyja palëve. Sipas publicistëve shqiptarë emocionet me karakter nacionalist, do të jenë pjesë e pandashme e këtij takimi.

Publicisti Kim Mehmeti, ka theksuar se jo vetëm në sport, mirëpo në çdo fushë të jetës ballkanasit bëjnë gara në mes veti. Mirëpo, sipas tij, gara bëhet më e fuqishme dhe më e zjarrtë, kur përballen shqiptarët me serbët.

“Nuk duhet harruar se në këto momente, ndonëse Serbia nuk po përballet me ndonjë superkombëtare, emocionet janë pjesë e kuptueshme tek të dyja palët. Një fitore e kuqezinjve në Beograd, do ta ngriste moralin e shqiptarëve dhe do t’i tregonte serbëve se ne nuk jemi ashtu sikurse që ata kanë tentuar të na paraqesin”, ka thënë ai për Telegrafin.

Mehmeti më tutje ka theksuar se “ne (shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë) ende çdo gjë të Shqipërisë e ndjejmë si të rëndësishme, përfshirë këtu edhe sportin. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe ndeshja e sotme”.

“Për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, vija patriotike është më e theksuar, sepse ende e vuajmë ndasinë e vëllazërisë shqiptare në shume shtete”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi, ka thënë për Telegrafin se pikërisht prania e shumë shqiptarëve të Kosovës, në kombëtaren shqiptare, pastaj historia e trishtë në mes dy popujve (shqiptarë dhe serbë), i jep kësaj ndeshje karakteristika emocionale dhe e bën që të jetë ma shumë se një ballafaqim në mes futbollistësh.

Matoshi ka theksuar se nuk preferon që emocionet, përveç atyre që kanë karakter argëtues dhe të garës së mirëfilltë, të jenë pjesë e futbollit, duke shtuar se nuk dëshiron që kjo ndeshje të shërbejë si arenë e nxitjes së urrejtjes në mes dy popujve.

“Futbolli, sporti në përgjithësi, çdo herë ka shërbyer si mundësi për t’i bashkuar njerëzit dhe assesi për t’i ndarë ata. Andaj edhe sonte shpresoj që ndeshja të jetë në shërbim të bashkimit dhe jo të përdoret si ‘shpallje e luftës dhe tensionim i situatës. Prandaj, nuk i shoh si shumë me vend, deklaratat pompoze të disa dashamirëve të kombëtares shqiptare, ndonëse i kuptoj arsyet dhe motivet e kësaj gjendje”, ka thënë ai për Telegrafin.

Ndryshe, ndeshja e fundit e zhvilluar në mes Shqipërisë dhe ish- Jugosllavisë, e zhvilluar në vitin 1967, kishte përfunduar 4 me 0 në favor të ekipit jugosllav.

Mediat serbe kanë ngritur pyetjen nëse po luajnë kundër Shqipërisë, apo kundër kombëtares së Kosovës. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Trimat Dardanë do të marrin sot rrugën drejt Bratisllavës, nesër i pret sfida jetike me Sllovakinë

Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për përballjen e nesërme me Sllovakinë, e...

“Ka kualitet”, Franco Foda për Zhegrovën: Është lojtar i rëndësishëm!

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda u paraqit në konferencë për media para...

E duan Interi e Juventusi, por Liverpooli e ka një përgjigje për Alissonin

Thashethemet e ditëve të fundit për të ardhmen e pasigurt të Alisson Becker te...