Ndonëse numri i aborteve në Republikën e Kosovës, sipas shifrave zyrtare për vitin 2013, rezulton të jetë 123. Sipas njohësve të kësaj fushe, ky numër mund të jetë disa fish më i lartë.
Sipas doktoreshës Rabihane Dema, kryeshefe e Zyrës së pranimit dhe planifikimit familjar,
në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gjatë tetë muajve të vitit 2014 janë regjistruar 99 aborte.
Dema ka thënë për Telegrafin se shifrat zyrtare për numrin e aborteve janë vetëm një pjesë e tërësisë së këtij fenomeni, sepse hapja e klinikave private ka ndikuar që të amortizohet numri i aborteve nëpër institucionet publike, të cilat janë përgjegjëse për këtë gjë.
“Në institucionin tonë kryhen intervenimet vetëm tek femrat të cilat janë mbi moshën 18 vjeçare dhe barra e tyre (foshnja) ka arritur deri në dhjetë javë të moshës gjestative (të lejuar). Ndërsa, femrat të cilat kërkojnë që të intervenohet dhe të abortojnë e janë nën moshën 18 vjeçare, atëherë kërkohet që në këtë rast të jetë i pranishëm së paku njëri nga prindërit. Nëse barra (foshnja) i ka mbi 10 muaj, atëherë mblidhet Komisioni mjekësor i shkallës së parë, i cili e vlerëson se a lejohet apo nuk lejohet që të ndodhë aborti”, ka thënë ajo për Telegrafin.
Sipas saj, me lejen e Komisionit mjekësor të shkallës së parë, pacienti shkon në zyrën e pranimit, pastaj hapet historia dhe dërgohet në repartin gjegjës (repartin konservativ) ku kryhet intervenimi.
Doktoresha Dema ka theksuar se aborti është mjeti i fundit i kontracepsionit, duke shtuar se kërkon nga femrat, veçanërisht ato të cilat janë të reja në moshë, që të jenë të kujdesshme dhe të mos veprojnë diçka për të cilën do të pendohen më vonë.
“Në këtë kohë kemi mjete të ndryshme kontraceptive që ndihmojnë në parandalimin e shtatëzanisë së padëshiruar, e të cilat nuk kushtojnë shumë”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, aborti është njëra ndër metodat më delikate të intervenimeve të gjinekologjisë.
“Pasojat e aborteve mund të jenë direkte dhe indirekte: Pasojat direkte janë lëndimet e organeve gjenitale të brendshme, të cilat vijnë si rezultat i intervenimit, gjakderdhjet etj. Ndërsa, pasojat indirekte janë steriliteti (veçanërisht tek femrat e reja që abortojnë në shtatzëninë e parë) dhe infeksionet akute he kronike”, ka thënë Dema për Telegrafin.
Në anën tjetër, sociologu Gëzim Selaci, ka thënë për Telegrafin se janë një sërë vështirësish që e pamundësojnë që të dihet numri i saktë i aborteve në Kosovë.
Ai mendon se numri më i madh i aborteve ndodhin sidomos nga ana e grave të pamartuara të cilat nën trysninë e vlerave tradicionale stigmatizohen nga shoqëria për çka e kanë të vështirë të përballen me lindjen e fëmijës jashtë martesës, ose nuk i bëjnë ballë sfidës që ta rrisin fëmijën pa njërin prind.
“Mirëpo, një numër i aborteve bëhet edhe për shkak të shtatzënive të shpeshta dhe të paplanifikuara, ose sepse nuk preferohet që fëmijët që cilin lindin të jenë femra. Gjithashtu, gratë e punësuara abortojnë ngase nuk janë të gatshme të lindin më tepër fëmijë se sa që planifikojnë, për arsye se kjo pengon karrierën e tyre. Ma merr mendja se një numër më i vogël i femrave abortojnë nga droja se nuk mund të mbajnë fëmijën dhe për shkak të komplikimeve në shtatzënësi. Me një fjalë, abortet kryesisht bëhen për shkak të shtatzënive të padëshiruara ose paplanifikuara”, ka thënë Selaci për Telegrafin.
Ai, duke sqaruar problemet të cilat i shkaktojnë abortet, ka thënë se në planin demografik, numri i madh i aborteve nënkupton rënie të shtimit të popullsisë, si dhe prishje të balancës gjinore – për shkak të aborteve selektive!
“Që të parandalohen shtatzënitë e padëshiruara dhe pasojat negative të aborteve, duhet që të rinjtë të kenë njohuri për mënyrat e sigurta të marrëdhënieve seksuale, të përdorimit të mjeteve kontraceptive dhe abortit të sigurt. Kjo bëhet qoftë përmes edukimit shëndetësor a seksual, në shkolla, dhe formave të tjera të informimit dhe ngritjes së vetëdijes”, ka theksuar Selaci.
Ai ka një mesazh për familjet kosovare, për të cilat thotë se duhet të jenë të hapura për bisedat dhe diskutimet të cilat kanë të bëjnë me marrëdhëniet seksuale dhe seksualitetin.
“Biseda të hapura për seksualitetin dhe marrëdhëniet seksuale duhet të bëhen edhe në familje ndërmjet fëmijëve, të rinjve dhe prindërve, në mënyrë që të rinjtë të jenë të kujdesshëm dhe të gatshëm për atë çfarë mund të ndodhë. Institucionet shtetërore dhe shoqëria duhet t’u ndihmojnë grave të cilat lindin dhe rrisin fëmijë pa njërin prind, por edhe fëmijëve jashtëmartesore që të mos stigmatizohen”, ka theksuar Selaci.
Ai madje ka thënë se për t’iu adresuar çështjes së aborteve për shkak të grave të karrierës, ligji i punës dhe ligjet e tjera relevante duhet të hartohen në atë mënyrë që të ndihmojnë familjet që duan të lindin e rrisin fëmijë. /Telegrafi/



