Të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan nuk janë duke vijuar mësimin dhe kjo për arsye se arsimtarët nuk mund të mbulohen nga numri i pozitave të lejuara për proces mësimor në komunën e Lipjanit.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin, drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Heset Loku.
“DKA në Lipjan na informoi se në Qendrën Korrektuese në Lipjan nuk do të organizohet mësimi për këtë vit shkollor shkaku se sipas tyre nuk mund ta mbulojnë me arsimtar nga numri i pozitave të lejuara për proces arsimor në komunën e Lipjanit”, ka thënë ai.
“Kemi pasur shumë takime, biseda me Ministrinë e Arsimit-Departamentin për Arsim Parauniversitar dhe Drejtorinë komunale për Arsim në Lipjan dhe jemi dakorduar që mësimi të startoj me datën o5/10/2015 si zgjidhje e përkohshme me arsimtar të shkollave në Lipjan dhe duke filluar nga java e ardhshme data 12/10/2015 të formohet një grup punues për të propozuar zgjedhjen e këtij problem tek MASHT. Megjithatë mësimi nuk ka filluar ende”, ka thënë Loku.
Ai bëri të ditur se në Qendrën Korrektuese në Lipjan gjenden gjithsej 47 të mitur, prej tyre 2 femra.
“Nga numri i përgjithshëm mësimet do të duhet t’i ndjekin 42 të mitur. Duke filluar nga klasa e II deri në të XII. Ky numër ndryshon varësisht nga lëvizjet e të miturve (pranim-lirimeve)”, shtoi tutje ai.
Sipas drejtorit, për të organizuar mësimin në nivelin e mesëm të ulët dhe nivelin e mesëm të lartë në bazë të specifikave të këtij institucioni do të duhej të jenë 10-12 arsimtar.
“Mësimi zhvillohet në dy nivele: arsimin e mesëm të ulët duke filluar nga klasa e II deri në klasën e IX dhe në nivelin e mesëm të lartë nga klasa e X deri në klasën e XII. Mësimi nga klasa e X-XII organizohet si paralele të ndara të SH.M.P ’Adem Gllavica’” në Lipjan dhe atë në drejtimet: elektroteknikë–profili informatikë dhe drejtimi makineri-profili saldues”, ka thënë Loku për Telegrafin.
Ai tha se në Qendrën Korrektuese në Lipjan të miturve u ofrohet edhe aftësimi profesional në këto profesione: elektroinstalues, hidroinstalues, murator dhe Informatikë”.
Ndryshe, Loku potencoi se pas përfundimit me sukses të këtyre fushave, të miturit pajisen me certifikatë që lëshohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale.
“Të miturit që qëndrojnë ma gjatë në këtë institucion angazhohen edhe në punë të këtyre profesioneve”, ka thënë ai.
Ndërkaq, zyrtari nga Ministria e Arsimit, Faton Fetahu bëri të ditur për Telegrafin se drejtoria e departamentit për Politika të Arsimit Parauniversitar ka mbajtur takim pune në Komunën e Lipjanit dhe në Qendrën Korrektuese në Burgun në Lipjanit, për të funksionalizuar paralelen e ndarë në Qendrën Korrektuese te Lipjanit.
Sipas Fetahut, në takimin është prezantuar puna dhe angazhimi i Departamenti komunal i Arsimit (DKA) të Lipjanit për funksionalizimin e mësimit në Qendrën Korrektuese.
“Sipas shënimeve të drejtorit të QK të Lipjanit janë 51 të mitur që duhen të vijojnë mësimet dhe këta janë të moshave të ndryshme dhe duhet të punohet me grupe të veçanta”, ka thënë ai. /Telegrafi/


