Inspektorati Policor i Kosovës vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka ngritur 54 kallëzime penale ndaj zyrtarëve policorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, rrezikim i trafikut, lëndime të rënda dhe të lehta, si dhe për vepra të tjera penale.
Zyrtarët e IPK-së thonë se janë duke e kryer detyrën e tyre në bazë të misionit që kanë, për të hetuar secilin zyrtarë policorë pa dallim grade, në momentin që thyen ligjin.
Po ashtu, Inspektorati Policor i Kosovës në këtë gjashtë mujor ka trajtuar edhe 52 raste që kanë të bëjnë me fenomenin e korrupsionit të zyrtarëve policorë.
Por, në anën tjetër, ish anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, dyshojnë në punën e këtij institucioni, për arsye se gjatë mandatit sa e kanë mbikëqyrur punën e IPK-së, kanë pasur shumë vërejtje dhe parregullsi gjatë punës që ky institucion ka bërë.
Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Jetullah Aliu thotë se duke pasur parasysh mandatin që ka IPK-ja, për hetimin e punonjësve policorë pa dallim grade, me një profesionalizëm dhe objektivitet të hetuesve të këtij institucioni, çdo ditë është një ngritje e hetimit të rasteve të shkeljeve në Policinë e Kosovës.
“Inspektorati Policor i Kosovës në gjashtë mujorin e parë të këtij vitit, ose nga 1 janari 2014 deri në fund të qershorit 2014, ka ngritur 54 kallëzime penale ndaj zyrtarëve policorë, 29 i ka dërguar me raport të veçantë dhe 33 i ka në proces të hetimeve preliminare ose paraprake, gjithnjë me autorizim të prokurorit kompetent”, tha Aliu.
IPK-ja, edhe në këtë gjashtë mujor të parë të këtij viti, ka trajtuar një numër të madh të rasteve që kanë të bëjnë me marrjen e ryshfetit nga zyrtarët policor.
Aliu tha se ky fenomen është një nga prioritetet kyçe të IPK-së, për ta luftuar marrjen e ryshfetit nga zyrtarët e Policisë, të çfarëdo niveli qofshin ata.
“I kemi identifikuar edhe pesë vepra që më së shumti janë raportuar dhe i kemi ngritur kallëzime penale, në një farë mënyre janë hetuar nga IPK-ja. Për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtarë, kemi 34 raste, për rrezikim të trafikuar – 22, lëndim i lehtë dhe i rënd trupor – 18, kanosje – 10, si dhe falsifikim i dokumentit zyrtar – 9 raste. Nga prioritetet që i jep IPK-ja, është edhe fenomeni apo dukuritë negative që kanë të bëjnë me dukurinë e korrupsionit – për këtë gjashtë mujor kemi trajtuar 52 raste të këtij fenomeni”, theksoi Aliu.
Mirëpo, në punën e Inspektoratit Policor të Kosovës ka dyshime ish anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i cili thotë se ngritja e këtyre kallëzimeve penale në këtë gjashtë mujorin e parë të këtij viti, janë në adresimin e duhur.
Ish anëtari i këtij Komisioni nga Vetëvendosja, Rexhep Selimi thotë se as gjatë mandatit që Komisioni për Punë të Brendshme e ka mbikëqyrur këtë institucion nuk ka pasur performancë të mirë.
Derisa thotë se kallëzimet penale të ngritura gjatë këtij gjashtë mujori, dyshon se janë në adresim të mirë, për shkak se IPK-ja ka qenë një mekanizëm në duart e politikës së MPB-së dhe që ky inspektorat e ka shfrytëzuar vakumin institucional për të ngritur kallëzime penale, derisa këtë nuk e ka bërë edhe gjatë mbikëqyrjes që ka pasur nga Komisioni.
“Por këto 54 apo cilido kallëzim penal do duhej të ishte në adresë të oficerëve të PK-së, do duhej të ishin në shërbim dhe në funksion të zhvillimit të policisë, parandalimit të krimeve të mundshme edhe po ashtu dhe në respektim të rregulloreve të brendshme dhe të ligjeve brenda policisë. Edhe një herë them që unë dyshoj që të gjitha këto kallëzime penale janë me adresim ligjor dhe po ashtu dyshoj se këto kanë qëllimin adekuat që do duhej ta kishin”, tha Selimi.
Po, ashtu në mandatin e IPK-së, është edhe inspektimi i Policisë së Kosovës, ku në këtë gjashtë mujor ka bërë katër inspektime të rregullta dhe një inspektim të jashtëzakonshëm.
Ndërsa, në vitin 2013, Inspektorati Policor ka realizuar katër inspektime të rregullta dhe dy të jashtëzakonshme ku janë inspektuar 81 njësi policore dhe janë inspektuar 142 dosje të ndryshme dhe janë intervistuar rreth 152 zyrtarë policorë të të gjitha gradave dhe pozitave. /KP/



