Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se ka shkuar në Gjakovë, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut.
Ai tha se dëmet e shkaktuara në bujqësi do të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Vizitova sot Komunën e Gjakovës së bashku me zv. Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Agon Dobruna, për tu parë më nga afër me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet që mbizotëruan këtë fundjavë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj vizite, takova edhe Kryetarin Ardian Gjini, i cili më njoftoi me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve”, ka shkruar ai.
Peci tha se dëmet do të kompensohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtorirë komunale për bujqësi.
“Si Ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompenzimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompenzohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse. Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022”, ka shkruar Peci.
Sot, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në një prononcim për Gazetën Express tha se sot situata është më e qetë.
“Mbrëmë dhe sot nuk ka rënë shi, ka tërheqje të lumenjve”, tha Gjini.
Ai tha se nuk dihet ende vlera e dëmit të shkaktuar.
“Ende nuk dihet sa është vlera e dëmit të shkaktuar nga reshjet, jemi duke e vlerësuar dëmin”, tha Gjini për Express.


