Në Lipjan shkelet Ligji duke pranuar Mësimdhënës

PUBLIKUAR

Komuna

Pas pranimit të mësimdhënësve në komunën e Lipjanit, në bazë të konkursit të shpallur në korrik të këtij viti, janë konstatuar shkelje ligjore.

Radio Kosova ka siguruar Procesverbalin e inspektimit, i cili është bërë gjatë muajit shtator, ku janë gjetur shkelje ligjore, duke u pranuar mësimdhënës pa procedurë të konkursit. Pas inspektimi janë dhënë rekomandime për Drejtorinë Komunale të Arsimit, e cila tashmë ka krijuar komisionin për të shqyrtuar ato. Pritet që për disa vende të anulohet konkursi, duke e shpallur edhe njëherë.

Në Procesverbalin e Sektorit të Inspektoratit të Arsimit në Ferizaj, që ka bërë inspektimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Lipjan, thuhet se poentomi i kandidatëve për mësimdhënës në disa raste nuk ishte bërë sipas kritereve. Kishte shkelje ligjore, pasi që për një pjesë të vendeve të punës nuk ishin publikuar emrat e të pranuarve, mirëpo janë angazhuar më vonë pa procedurë të konkursit publik, thuhet ndër të tjera në procesverbal.

Inspektori Skënder Beqiri, tha për Radio Kosovën se pas marrjes së 34 ankesave të mësimdhënësve për mospranim në punë sipas konkursit për vitin shkollor 2014/2015, në Komunën e Lipjanit, me kërkesë të Departamentit të Inspektoratit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Sektori i Inspektoratit në Ferizaj, ka bërë inspektimin në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Lipjanit. Ai tha se në bazë të inspektimit janë gjetur shkelje ligjore gjatë pranimit në punë të mësimdhënësve.

“Shkeljet më të mëdha për pranimin e mësimdhënësve janë bërë pa procedurë të konkursit. Këto janë shkelje të rënda që nuk tolerohen, sepse pa procedurë të konkursit nuk duhet të bëhet pranimi i personelit mësimor. Ne kemi dhënë rekomandim që i gjithë personeli që është pranuar pa procedurë të konkursit, t’i nënshtrohen konkursit publik”.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Lipjan ka afat edhe dy ditë për të shqyrtuar të gjitha rekomandimet e dhëna nga Inspektorati i Arsimit. Drejtori i kësaj drejtorie, Rasim Hasani, tha për Radio Kosovën, se tashmë është krijuar një komision, i cili është duke shqyrtuar rekomandimet e dhëna nga inspektorati, ku pritet të anulohet konkursi dhe të shpallen vende të reja të punës.

“Sa i përket Procesverbalit dhe konkursit në fjalë, ne mendojmë se pak janë ekzagjeruar disa gjëra. Realisht nuk ka probleme aq sa janë të cekura, për arsye se inspektorët në shumë pozita janë lëshuar në gjëra që nuk kanë pasur të drejtë, si në vlerësimin e komisionit. Megjithatë, të gjitha vërejtjet reale do t’i shqyrtojmë. Duhet të kihet parasysh se ne kemi mjaftë punë me një staf shumë të vogël. Megjithatë në një kohë reale do të bëjmë edhe anulimin edhe shpalljen e vendeve të reja të punës”.
Në rast se pas dy ditësh Komisioni i formuar nga Drejtoria e Arsimit në Lipjan, nuk ka shqyrtuar të gjitha rekomandimet e Inspektoratit, atëherë Inspektorati do të marrë vendim që t’i japë afat Komisionit edhe 8 ditë të tjera. E në rast se edhe pas 8 ditësh nuk shqyrtohen rekomandimet, atëherë Inspektorati do ta dërgojë çështjen në Gjykatë.

SHIKO MË SHUMË

Në ora 16:00 numërimi të votave për kandidatët për deputetë brenda subjekteve politike në Lipjan

Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, ju njofton se sot,...

Aksident i rëndë mes dy veturave në Lipjan, autoambulanca në vendin e ngjarjes (PAMJE)

Një aksident trafiku ka ndodhur para pak minutash, në Lipjan. IndeksOnline mëson se dy automjete...

Imri Ahmeti: Krenar që ju kam në këtë rrugëtim të përbashkët!

Kryetari Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka falenderuar të gjithë për angazhimin, përkushtimin për...