PDK-ja lëshon mbledhjet e komisioneve, Deliu-Kodra: Ligji për Specialen duhet të jetë prioritet mbi prioritetet

PUBLIKUAR

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka lëshuar mbledhjet e komisioneve parlamentare, në shenjë kundërshtimi për mosprocedimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media ka thënë se partia e saj nuk do të bëhet pengesë për funksionalitetin e institucioneve, por nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve pa u proceduar projektligji për Dhomat e Specializuara.

“Sot si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës morëm pjesë në komisionet parlamentare dhe dëshmuam edhe një herë atë që nuk mund të ketë prioritet më të rëndësishëm sot sesa sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, si PDK, konsiderojmë se e kemi dëshmuar me veprime se nuk bëhemi pengesë për funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, ajo çka është krejtësisht e padrejtë është që të simulojmë normalitet për mbarëvajtje çështjesh të cilat kërkojnë veprim urgjent nga shteti”, tha ajo.

Deliu-Kodra ka theksuar se për PDK-në, projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë prioritet jo vetëm i kësaj partie, por edhe i të gjitha subjekteve të tjera politike.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në funksion të mbrojtjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë prioritet mbi prioritetet. Konsiderojmë që ky duhet të jetë prioritet edhe për të gjitha partitë politike”, tha ajo.

Ajo ka kritikuar Qeverinë për mospërfshirjen e këtij projektligji në rendin e ditës, ndërsa ka thënë se, pavarësisht vonesave për këtë çështje, në Kuvend janë proceduar një numër i madh projektligjesh me procedura të përshpejtuara.

“Sot në Kuvend, të nderuar përfaqësues të mediave, janë sjellë një numër i madh i projektligjeve me procedura të përshpejtuara, ndërkohë që qeveria i ka diskutuar 45 pika të rendit të ditës. Në Komisionin për Legjislacion, të cilin sapo e lëshuam, duke e thënë qartësisht që nuk do të jemi në komisione pa u sjellë ligji për Dhomat e Specializuara, sot janë sjellë gjashtë projektligje me procedura të përshpejtuara. Dje deputetët i kanë marrë materialet për këto projektligje, ndërkohë pa mbërritur që të diskutohen, të trajtohen, gjashtë projektligje sillen në rend dite në ditën kur nevojë imediate do të duhej të ishte sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, projektligji për Dhomat e Specializuara fatkeqësisht vazhdon ende të mbetet në sirtarët e qeverisë. Ndërkohë që për projektligjet e tjera e thashë që gjendet kohë që të sillen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për këtë projektligj të Dhomave të Specializuara na thuhet që po kërkohet ekspertizë dhe po zvarritet procedimi i tij”, tha ajo.

SHIKO MË SHUMË

ATK nis verifikimin e bizneseve që dyshohet se kanë kaluar pragun e 30 mijë eurove për TVSH

Administrata Tatimore e Kosovës, bazuar në analizat e të dhënave të saj, ka identifikuar...

Miratohet rialokimi i 102 milionë eurove, një pjesë për pagën e 13’të dhe shtesën 0.5%

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin...

“Ja ku isha kur u dënua Cali”, Musliu-Shoshi rikthen prapaskenat

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kujtuar momentin kur ka protestuar pas momentit të...