Analisti Dastid Pallaska thotë se në 8 vjetorin e Pavarësisë, Kosova ndodhet para një udhëkryqi tejet të ndërlikuar dhe se vendimet që do të merren në këtë vit, do të jenë përcaktuese për shumë gjenerata që do të vijnë pas nesh.
“Vendimet tona për udhëkryqin në të cilin gjendemi duhet t’i marrim me kokë të ftoftë dhe vetëm nën dritën e plotë dhe qartësuese të diellit’, thotë Pallaska.
Shkrimi i plotë i Pallaskës në Facebook:
Është vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar gjendjen në të cilën gjendet vendi në prag të përvjetorit të 8 të shpalljes së pavarësisë. Jo vetëm për shkak se gjendja në vend është e rëndë, por për faktin se sot – 8 vite pas shpalljes së pavarësisë – shteti ynë është para një udhëkryqi tejet të ndërlikuar. Vendimet që do të marrim si shoqëri këtë vit janë përcaktuese për shumë gjenerata që do të vijnë pas nesh.
Në astronomi periudha ndërmjet agimit (kur dielli gjendet 18 shkallë nën vijën e horizontit) dhe lindjes së diellit quhet gjysmerrësirë (twilight).
Për shkak të errësirës së plotë që mbizotëron gjatë natës, gjysmerrësira që i paraprinë lindjes së diellit shpesh mund të gabohet me lindjen e diellit.
Këtë përvjetor, pas 8 viteve të dëshpërimit me mungesën e përparimit në ndërtimin e një shteti të drejtë dhe për të gjithë, ngadalë por sigurt po e tejkalojmë errësirën e plotë që na kaploj pas shpenzimit së entuziazmit për pavarësimin e vendit.
Përkundër faktit që errësirën e plotë të një keqqeverisje epidemike po e lëmë prapa, duhet t’i shmangemi kurthit që gjysmerrësirën ta gabojmë me lindjen e diellit. Në fakt, drita e dobët dhe e turbullt që mbizotëron gjatë gjysmerrësirës është më e afërt me errësirën se me dritën e diellit. Rrjedhimisht – për shkak të efektit të vetë lajthitës – gjysmerrësira shpesh është edhe më e rrezikshme se errësira e plotë.
Për këto arsye, thirrjet për radikalizim të shoqërisë si shprehje e pakënaqësisë ndaj mungesës së përparimit – që në gjysmerrësirë mund të duken si mjet për zgjidhjen e problemeve tona – duhet t’i refuzojmë në mënyrë absolute.
Vendimet tona për udhëkryqin në të cilin gjendemi duhet t’i marrim me kokë të ftoftë dhe vetëm nën dritën e plotë dhe qartësuese të diellit.
Urime pavarësia të gjithë juve që Kosovën e ndjeni si atdheun tuaj. Urime të gjithë juve që këtë datë do ta shënoni në festë dhe juve që këtë datë do ta shënoni me protestë paqësore.


