Këngëtarja shqiptare me veprimtari në SHBA, Rinesa, e njohur për publikun me emrin artistik Rinesance, ka ndarë me ndjekësit një prej rrëfimeve më të ndjera të jetës së saj. Përmes një postimi emocional në Instagram, ajo ka zbuluar se prej dy muajsh po përballet me probleme serioze shëndetësore, që kulmuan me një diagnostikim të rëndë — tumor në tru.
“Deri para do jave s’e kom ditë çka po ndodh, derisa u desht me u shtru në spital me 18 prill 2025”, ka shkruar ajo. Këngëtarja ka bërë të ditur se ka kaluar dy operacione në tru, ndërsa tani ndodhet në një qendër rehabilitimi, ku pritet të fillojë terapinë radiologjike.
Pavarësisht kësaj sfide të madhe, Rinesa është shprehur e vendosur për të mos u dorëzuar. Ajo e sheh këtë periudhë si një kujtim me vlerë, që i ka treguar edhe njëherë se sa shumë dashuri dhe përkrahje ka nga njerëzit përreth saj. “Mënyra se qysh ka rrjedhë gjithçka osht bekim n’vete për mu… Muzika është motivi për me e kalu edhe këtë sfidë”, ka shkruar ajo, duke falënderuar nga zemra familjen, ekipin dhe bashkëpunëtorët e saj për mbështetjen e vazhdueshme.
Ky rrëfim i sinqertë dhe i fuqishëm vjen vetëm pak kohë pas publikimit të këngës së saj më të re në bashkëpunim me reperin Buta, të titulluar “Dy telefona”. Edhe pse përballë një beteje të vështirë, Rinesance ka treguar se nuk e ka ndërmend të ndalet në rrugëtimin e saj artistik, duke vazhduar të krijojë dhe të inspirojë përmes muzikës.
Për të gjithë ata që duan të dëgjojnë projektin më të ri të saj, “Dy telefona” është tashmë i disponueshëm në platformat muzikore.
Rinesa na dëshmon edhe një herë se forca shpirtërore dhe pasioni për artin mund të ndriçojnë edhe ditët më të vështira. /Telegrafi/