Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK-u) ka ngritur padi ndaj komunave për mosrespektim të të drejtave në arsim. Padia e ngritur përfshin mospagesën e tri pagave me rastin e pensionimit të mësimdhënësve si dhe mospagesën e tri pagave pas dhjetë vjetëve në arsim, shkruan sot, gazeta Zeri.
Dialogu dhe marrëveshjet e arritura në letër me Qeverinë për realizimin e të drejtave të punëtorëve të arsimit tregojnë se kjo kategori e punëtorëve në Kosovë nuk qëndron keq me kushtet e punës.
Mirëpo Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK-u) vlerëson se ligjet si dhe marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria kanë hezitime të realizohen në praktikë.
Për mosrealizimin e të drejtës së punëtorëve SBASHK-u ka deponuar edhe padi në organet e drejtësisë. Padia e ngritur nga sindikata përfshin mospagesën e tri pagave me rastin e pensionimit të mësimdhënësve si dhe mospagesën e tri pagave pas dhjetë vjetëve në arsim.
Udhëheqësit e kësaj sindikate deklarojnë se kanë bazë ligjore për ta fituar të drejtën. Ndërkaq, mbi 25 mijë mësimdhënës sipas Sindikatës besojnë që me Kontratën e re Kolektive në sektorin e arsimit pushteti lokal dhe ai qendror do të angazhohen t’i realizojnë më mirë ato që i nënshkruajnë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se ka lëvizje përpara në drejtim të përmbushjes së kërkesave të mësimdhënësve. Megjithëkëtë, ai thotë se ka ende kërkesa të papërmbushura nga shteti të parashtruara nga punëtorët e arsimit…


