Lipjani do të jetë qendra, kryeqyteti i Kosovës për biznes, thotë Sabit Pacolli, i sapo kthyer nga Suedia me një zotim mjaft të veçantë.
Ai ishte detyruar ta lë Kosovën kur ishte pesë vjeçar. Tani thotë të jetë kthyer ta bëjë Lipjanin një vend më të mirë për të jetuar të gjithë.
Për pak ditë, Pacolli do të lëshoj në prodhim një fabrikë të lëngjeve në këtë komunë, ku investoi afro gjysmë milioni euro për realizimin e një amaneti familjar.
“Prindi dhe të afërmit më kanë thënë se gjithqka që do të bëjë në vende tjera, ta kujtoj Kosovën. E vërteta është që këtë biznes që po e bëj në Lipjan, shumë ma leht e kisha ba në Suedi e secilin vend tjetër të Evropës”.
Megjithatë, duket i vendosur të mos dorëzohet pavarësisht telasheve dhe pengesave për realizimin e planeve për punësimin e rreth 60 personave, të familjeve në nevojë dhe familjarëve të dëshmorëve, deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Nuk jam trim, por kur e vendosi një send nuk ka asgjë që më ndal”, pohon Pacolli derisa shpalos planet për komunën që synon ta udhëheq.
Lëngjet “Made in Kosova” do të mbërrijnë në Belgjikë, Holandë, Francë e Gjermani. Madje edhe tek investitorët që katër vite më parë nuk u lejuan të punësojnë mbi 800 banorë të komunës ndër më të varfërat në Kosovë.
“Katër vite më parë unë kam sjell në Lipjan një investitorë shumë të fuqishëm për riciklimin e mbeturinave por për çudi zotërit që ishin në pushtet kërkuan një përqindje, të cilën investitorët nuk pranuan ta paguajnë dhe u tërhoqën menjëherë”, thotë Pacolli.
Investitorët Anglez dhe Suedez shkuan në Maqedoni dhe tani kanë punësuar mbi 1,600 persona.
Kësaj radhe Pacolli tregon se presionet dhe pengesat e palëve tjera nuk i bëjnë përshtypje.
“Presione, fjalë e thashetheme ka sa të dush, por unë nuk jamë marrë me to fare. Madje kam nxjerrë edhe në vendin ku jetoj dëshmi se kush është Sabit Pacolli”, thotë ai.
I dëshpëruar me gjendjen e rëndë në këtë komunë, ky biznesmen ka përgatitur një plan për të zgjidhur problemet e qytetarëve.
“Në Lipjan mungon investitori, bujqësia e shumë e shumë sene tjera. Me ardhjen time, si shërbyes i qytetarëve do të kem investime shumë të fuqishme”.
Tani veç ka filluar negociatat me kompaninë Scania dhe Volvo për prodhimin e ulëseve të kamionëve dhe veturave në po në këtë komunë.
“Këtu bëhet fjalë për punësim deri në 2,800 punëotor”, thotë Pacolli.
Ai habitet se si politikanët u premtojnë qytetarëve ndërtimin e trotuareve e kanalizime.
“Kjo është banale dhe nuk diskutohet, pasi është një obligim i komunës që duhet bërë dhe nuk duhet me ju premtu qytetarëve por duhet me ba. Është e njëjtë si me shku te kojshia dhe me i thënë, kqyre kojshi unë po të premtoj se do ti blej fëmijës tem tesha”, thotë Pacolli, i cili për ta ndryshuar gjendjen thotë se do të angazhohet me të gjitha forcat.
Nga përvoja në politikën suedeze, Pacolli vlerëson se qytetarët duhet të jenë të informuar për të gjitha veprimet e udhëheqësve, dicka që nuk ndodhë sipas tij tani në Lipjan e as në komunat tjera në Kosovë.
“Kur bëhen tenderët e famshëm, qytetarë nuk e dinë përse e ka fitu një kompani e caktuar, për cfarë është dhënë. Gjithashtu në komunën e Lipjanit i kemi 13 drejtori, pra 13 drejtor vetëm për t’ia bë qefin partive politike. Duhet të shihet a e lejon ligji këtë pasi janë paga që jepen për këtë njerëz”.
Një nga fushat kryesore ku do të fokusohet Pacolli është bujqësia.
Në këtë sektor sipas tij, shkalla e investimeve nga buxheti i shtetit është shumë e vogël dhe nuk mjafton as për tre qytetarë. Madje edhe ata që përfitojnë dyshon se janë të lidhur ngushtë me politikën.
“Sot i kemi në Lipjan të ndara rreth 150 mijë euro ndërsa ato nuk mjaftojnë as për tre veta. Unë di se lkanë përfitu nga këto mjete njerëz të cilët nuk kanë fare tokë dhe mua më bën të dyshoj në ndarjen e tyre”, tregon Pacolli.
Ai ka angazhuar tashmë një ekspert të kësaj fushe me të cilin po harton plane për krijimin e mundësive zhvillimore në agrobiznes.
Realizimi i zotimit për ta bërë Lipjanin qendër të Kosovës për biznes, sipas Sabit Pacollit, nuk ndodhë vetëvetiu pa angazhim dhe ide konkrete. Për këtë edhe është duke studijuar nevojat që ka vendi, të cilat pastaj premton ti realizoj si shërbyes i qyetarëve.
“Nuk më pëlqen të më quajnë kryetar. Unë jamë shërbyes i qytetarëve”.
E për tërë angazhimin tij, nuk do të marr pagë. Ai do të ndjekë hapat e njeriut që e ka idol në jetë, Behgjet Pacollit.
“Paga ime do të shkoj për njerëz të varfër. Unë nuk jam i varur nga shteti dhe do të ndjek hapat e presidentit Pacolli, për të cilin kam shumë respekt”.
Ndërkaq, shpërblimin më të madh për veten dhe ekipin e tij e vlerëson krijimin e një ambienti “ ku nesër fëmijët tanë të jetojnë më mirë”. Gazeta Fjala



