Pa shtëpi e pa bukë vuan familja Vitia nga Sllovia e Lipjanit (VIDEO+FOTO)

PUBLIKUAR

Berat Kostanica/ Sllovi-Lipjan 

Familja Vitia po e kalon dekadën e dytë pa kulm mbi kokë dhe me shumë pak ushqime. Djali i kësaj familjeje bart në kraharor një copë xhami, në pamundësi financiare për ta dërguar te mjeku dhe për ta operuar. Në një “shtëpi” prej 10 metrash katrorë, kjo familje kalon jetën e rëndë, e harruar nga shteti e nga qytetarët 

Sofrës së familjes të Hetem Vitisë në fshatin Sllovi e Lipjanit i mungon ushqimi i bollshëm tash e 17 vjet. Me thërrime buke, e nganjëherë dhe pa to, shtrohet mëngjesi, dreka e darka në familjen Vitia. Që nga paslufta kjo familje nuk është ndihmuar nga institucionet që të mbijetojë. Me punë krahu kryefamiljari është munduar t’i dalë zot familjes së tij. Por, tashmë kur çmimet janë ngritur, sidomos çmimi i bukës prej 40 centësh që peshon jo më shumë se 400 gramë, në këtë familje skamja po bëhet e padurueshme. Çifti Vitia jeton me nga tri euro që kryefamiljari Hetemi fiton rrallëherë nga shitja e hekurave. Me të birin nëntëvjeçar, kjo familje po strehohet në një dhomë të vetme, ku të ftohtit depërton ngado e lagështira të zë frymën sapo vë këmbën në hapësirën jo më shumë se 10 metra katrorë. Madje, as kjo dhomë nuk është pronë e tyre. Tre anëtarët e kësaj familjeje duken të humbur, e ndihen të harruar nga të gjithë. Familja Vitia nga Sllovia e Lipjanit, e zbardh çdo ditë në një dhomë rreth 10 m katrorë. Dhoma ku ata jetojnë nuk ofron as kushtet elementare për banim. Myku dhe minjtë bëjnë që kjo familje të jetojë nën tmerrin e këtyre kushteve tash e tre vjet. Shiu depërton kudo në dhomën e vetme të kësaj familjeje. Ndërsa, rrobat dhe dyshemeja që ka dhoma janë lagur nga të rënat e shiut që pikon nga tavani i improvizuar.

Të gjithë të interesuarit për ta ndihmuar këtë familje, mund të kontaktojnë në këtë numër telefoni 044 852 326  

Familjes treanëtarëshe nuk i mungon, siç shprehen edhe vetë, vetëm ushqimi, por edhe kulmi mbi kokë. Të strehuar në shtëpinë e xhaxhait të kryefamiljarit, Hetemit, i ka skaduar afati i qëndrimit në këtë shtëpi. Ai duhet ta lëshojë këtë shtëpi shumë shpejt. Ndonëse familja e Hetemit vite më parë kishte banuar në një tendë, si duket kjo histori do t’i kthehet përsëri pasi që nuk ka ku të strehohet.
“Jam në gjendje të rëndë, nuk kam as social e asgjë tjetër. Jam duke qëndruar në shtëpinë e mixhës edhe ai më ka thënë se duhet t’ia liroj dhomën”, thotë Hetemi. Ai rrëfen sesi nga paslufta asnjëherë nuk arriti të sigurojë një punë, ndonëse ishte interesuar për këtë. Për të dërguar djalin në shkollë dhe të mos e ndalë për shkak të kushteve të rënda ekonomike, Hetemi punon me hekurishte, mbledh kudo nëpër kontejnerë, rrugë, mbeturina të hedhura nëpër qoshe, që të dërgojë djalin në shkollë. Si në faj ai shprehet se nuk mund të punojë më shumë.

Image

Jeta nën tendë

Hetemi shpesh duke ecur rrugës thotë se është aq i dëshpëruar me institucionet që kanë harruar të varfrit, saqë e detyrojnë të lakmojë kafshët e fqinjëve, të cilat jetojnë në ahur, e kanë një strehë, e Hetemi thotë se ai, gruaja dhe djali i tij nuk kanë as fatin e kafshëve në Kosovë. “Përpara kam banuar në një tendë, shumëherë më është sëmurë djali prej shiut e të ftohtit. Nuk di kah do t’ia mbaj tash”, thotë Hetemi për gazetën “Zëri”, që i frikësohet kthimit të jetës në tendë.
Edhe pse Hetemi kërkon punë, ai edhe këtë e ka të pamundur ta bëjë pasi që ka probleme shëndetësore me njërën dorë. Ai rrëfen ngjarjen duke treguar se si e kishte prerë gjysmën e dorës në një makinë të drurëve, vetëm e vetëm që t’i sigurojë ushqim familjes. “Djalin e çoj në shkollë, mezi ia bëj librat. Edhe në shkollë po i ndihmojnë kapak”, rrëfen Hetemi.

Image

E kaluan festën e Kurban Bajramit me sofër thatë

Familja Vitia, festën e Kurban Bajramit e kaluan me sofrën zbrazur e që djali i vetëm i kësaj familjeje Fatlindi nuk e gëzoi atmosferën e festës me ëmbëlsira sikurse fëmijët në familjet e tjera.  Bashkëshortja e Hetemit, Shyhretja, tregon se sa vështirë e ka të jetojë në një dhomë të vetme. Madje, ajo tregon se si është të kalohet një festë pa bukë në sofër.
“Nuk ka më vështirë se mos të kesh shtëpi e as ushqim. Janë bërë dy vite që jemi këtu, e ne festën e Bajramit e kalojmë pa pas ushqime në sofër. Më dhimbset djali i vogël që nuk po gëzohet si shokët e tij me pas ëmbëlsira për festë”, tregon Shyhretja, që nuk mund të përmbajë lotët, e ngashërimi ia mbyt fjalët që do t’i thotë.
Ajo thotë se nuk e ka të lehtë të ndajë me të tjerët ditët kur i ka munguar buka t’ia japë të birit. “Kur djali më kërkon pite për të ngrënë e në pamundësi t’ia plotësoj qejfin djalit, dal nganjëherë te fqinjët për të kërkuar miell sepse shpesh dhe ngushtohem”, thotë Shyhretja.

Image

Shteti hesht përballë kërkesave të të varfërve

Hetemi thotë se ka më se dhjetë herë që gjatë këtij viti që ka kërkuar ndihmë nga Komuna e Lipjanit. Por ai tregon se është kthyer pa përgjigje gjithnjë. Ai ka bërë kërkesë që t’ia japin një social në mënyrë që ta mbajë familjen me këto para. Por, komuna nuk i ka kthyer përgjigje asnjëherë se do ta përkrahë me ndonjë ndihmë sociale. Hetemi tregon se është kthyer duar bosh gjithnjë nga Komuna.
“Komuna më ka thënë që nuk më takon sociali, kam shkuar edhe në Ministrinë e Punës po asgjë as atje nuk më thanë. Më kanë refuzuar krejt kërkesat, deri 10 herë i kam dërguar kërkesat, po as që i kanë marrë parasysh”, thotë Hetemi, i cili ka nën pronësi 35 ari truall e që ai dëshiron në këtë pjesë të ketë një shtëpi. Siç thotë ai vetëm njëdhomëshe po të jetë do ta ndiente veten të qetë se ka një kulm mbi kokë.

Image

Që të tre kanë nevojë për mjekim

Hetemi, bashkëshortja Shyhretja dhe djali i tyre Fatlindi, kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Kryefamiljari vuan nga dhimbjet e dorës e që nuk ka mundësi të shkojë te mjeku, ai detyrohet t’i durojë dhimbjet e krahut. Edhe bashkëshortja e tij Shyhretja e ka të lënduar njërën dorë dhe është e ftohur thellë në mushkëri, ndonëse është kontrolluar nga mjeku, ajo nuk ka mundësi që t’i sigurojë barnat.
Shyhretja ka nevojë edhe për një intervenim mjekësor në këmbën e saj të majtë, por sikurse bashkëshorti i saj Hetemi edhe ajo po detyrohet t’i durojë dhimbjet. Prindërit Vitia, më shumë po i lëndon dhimbja e djalit, Fatlindit 9-vjeçar, i cili në kraharorin e tij ka një xham, pas një lëndimi kur ka qenë i vogël. Në pamundësi që ta dërgojnë për një operim special, Fatlindi tash e disa vite bart me vete një pjesë xhami nën lëkurë e që shpesh nuk mund të flejë nga dhimbjet.
“Më së shumti që na lëndon, është dhimbja e djalit e që nuk kemi mundësi për ta dërguar për operim. As barnat nuk po mundemi t’i sigurojmë për vete”, tregojnë dy prindërit dhimbjen që po i gërryen tash e sa kohë në shpirt.

Image

Image

Image

SHIKO MË SHUMË

Sekuestrohen 64 fishekë me gaz në Hallaq të Vogël

Policia Kosovës ka njoftuar se ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se afër oborrit të...

Komuna e Lipjanit dhe Stacioni Policor organizojnë takim informues

Në kuadër të takimeve të rregullta për policimin në bashkësi, sot u mbajt takimi...

Arrestohet një person i dyshuar për zjarrvënie në Lipjan

  Prishtinë, 06 korrik 2026 – Hetuesit e Stacionit Policor në Lipjan kanë arrestuar një...