Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrje të FSK-së, ka thënë se LVV-ja do ta mbështesë çfarëdo nisme ligjore që ka të bëjë me krijimin e ushtrisë.
“Në rrethanat e zhvillimeve aktuale ne kemi mbështetur edhe ndryshimet kushtetuese që parashihnin ta avanconin rolin kushtetues dhe emrin nga FSK-ja në FAK. Qysh në kohën e procedimit të atyre amendamenteve kushtetuese në Kuvend GP-ja e LVV-së ka deklaruar se do t’i votojë ato kurdo që të vijnë për votim. Po ashtu kemi deklaruar se do ta mbështesim edhe cilindo nismë ligjore që avancon kapacitetet ushtarake të Kosovës. Të njëjtën gjë e deklarojmë edhe sot”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, Selimi është shprehur i vendosur se nuk do të lejohet që kjo çështje të shndërrohet në manipulim, nga i cili mund të dalin koncesione në dëm të Kosovës.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se AAK-ja është e gatshme kurdoherë të japë kontributin për krijimin e ushtrisë.
“Ne e kemi thënë dhe po e përsëris sa herë bëhet fjalë për interesin e Kosovës, e sidomos tani kur po bëhet fjalë për ushtrinë e saj jemi të gatshëm të japim kontributin tonë që kjo edhe të bëhet”, ka deklaruar ai për “Zërin”.


