Opozita në 2015 – e bashkuar për kauzë, apo për inat?

PUBLIKUAR

Përderisa skena politike kurrë nuk ka qenë më e përçarë në Kosovë, Opozita asnjëherë nuk ka vepruar më e bashkuar.

Lëvizjes Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën tërë programin opozitarë e kanë në koordinim me njëra-tjetrën.

Disa analistë besojnë se ky bashkim vjen si pajtim programor, e të tjerë mendojnë se Opozitën e bashkoi inati kundrejt kryeministrit Isa Mustafa.

Bashkimin e Opozitës kosovare – Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën – për ta kundërshtuar koalicionin Qeverisës në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, disa analistë dhe njohës të çështjeve politike e kanë parë si një hap shumë të mirë, kurse të tjerë si bashkim i shkaktuar nga inati.

Analisti Dukagjin Gorani ka deklaruar se përkundër pamjeve dhe zhvillimeve dramatike, Opozita e Bashkuar megjithatë ka arritur ta dominojë vitin politikisht.

“Ishte vit i opozitës dhe i qytetarisë aktive. Protestat qytetare dhe Opozita e Bashkuar ishin ato që e hapën dhe e përmbyllën”, deklaroi Gorani.

“2015 ishte po ashtu edhe vit i ngritjes së një vetëdije kritike ndaj qeverisjes së vendit”, megjithatë, “ishte vit që u përcjell me pamje dhe zhvillime dramatike, mbase më skandalozet ç’prej përfundimit të luftës në Kosovë. Po ashtu, edhe me kaos dhe shthurje të sistemit shtetëror”.

Edhe për analistin Imer Mushkolaj LVV-AAK-Nisma ishin më në nivel të detyrës sesa kolegët e tyre në Pozitë.

“Opozita u përpoq të luajë një rol aktiv gjatë gjithë kohës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të qartë se ajo pati të drejtë në pretendimet për jokushtetutshmërinë e procesit të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe”, pohon Mushkolaj.

Megjithatë, sipas tij, Opozita u kufizua vetëm në Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi, duke qenë kështu të ngushtë në programin e tyre opozitar.

“Të fokusuar në çështje politike, mjaft probleme të tjera, që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, nuk hynë fare në agjendën e opozitës”, deklaroi Mushkolaj.

Por as me Mushkolajn e as me Goranin, nuk pajtohet një koleg i tyre.

Për publicistin dhe drejtuesin e portalit BotaPress, Bajrush Morina, Opozita nuk kishte kurrfarë kauze të mirëfilltë, por kundërshtimin e tyre e ushqeu vetëm me inatin personal që e kanë me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Opozita gjatë këtij viti ka shfaqur një arrogancë te veprimit jopolitik dhe një inat personal ndaj kryeministrit. Duke qenë e bashkuar ‘për inat të Isa Mustafës’ e jo për kauzën e shtetit, kjo Opozitë ka humbur kredibilitetin e sigurisht edhe fuqinë politike”.

Sipas Morinës “me një fjalë mund të quhet Opozitë e inateve politike e jo e kauzës shtetërore”, deklaroi Morina. /klankosova/

SHIKO MË SHUMË

Vendimi i Kushtetueses, afatet për Qeverinë e Presidentin rrjedhin pas afatit 30 ditor për konstituim edhe pa u bërë Kuvendi

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë sot vendim për kërkesën e Partisë...

Cakolli: Zgjedhjet me 8 ose 15 nëntor, Kushtetuesja s’e sqaroi se kush i cakton nëse dështon zgjedhja e Presidentit

Eugen Cakolli nga IKD ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Cakolli ka...

30 mijë fëmijë më pak në listat e shtesave në krahasim me prillin

Për saktësisht 31 mijë e 553 është ulur numri i fëmijëve që marrin shtesa...