Një vit nga ratifikimi i MSA-së, Kosova ngec në zhvillimin ekonomik

PUBLIKUAR

Sot janë bërë një vit që kur Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Projektligjin për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes BE-së dhe Kosovës.

MSA-ja është një marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe si e tillë definon hapat ekonomik, politik dhe legjislativ të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe forcon më tej demokracinë dhe subjektivitetin e shtetit të Kosovës.

E që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje më 27 tetor në Strasburg, Kosova sipas profesorit të Ekonomisë, Gazmend Qorraj, ka arritur të përfitojë më shumë në rrafshin politik.

“Konsideroj se përfitimi më i madh i Kosovës ka qenë në rrafshin politik pasi që nënshkrimi dhe ratifikimi i MSA-së konsiderohet si avancim në aspektin politik dhe institucional”, ka thënë Qorraj për Telegrafin.

Ai ka shtuar se që Kosova të ketë përfitime nga MSA-ja, bizneset vendore dhe institucionet duhet të koordinojnë aktivitetet, të koordinojnë programet dhe fondet e IPA-së, si dhe të informojnë sa më shumë që është e mundur individët por edhe bizneset për mundësitë që ofrohen nga BE-ja por edhe nga MSA-ja. Profesori ka shtuar më tej se nuk jemi shumë konkurrent në raport me vendet e BE-së.

“Konsideroj se nuk jemi konkurrent në mënyrë që të shfrytëzojmë tregun e BE-së sepse edhe liberalizimi në rajon, domethënë me vendet e rajonit ka treguar që nuk jemi shumë konkurrent me vendet e rajonit, e karshi vendeve dhe firmave të BE-së normal që do ta kemi edhe më vështirë”, ka shtuar më tej Qorraj.

Duke pasur parasysh se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit i siguron përfitime të mëdha ekonomisë në vend, dhe se është mundësi e mirë e promovimit të ekonomisë vendore në vendet e BE-së, profesori ka theksuar se tani mundësitë janë më të mëdha për promovimi e Kosovës, pasi që Kosova është anëtare e disa prej organizatave ndërkombëtare dhe gjithashtu është edhe pjesë e shumë raporteve ekonomike.

“Mendoj që përfaqësitë tona në BE duhet të punojnë më shumë në ndërlidhjen dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet firmave në Kosovë dhe firmave në BE përmes ideve dhe projekteve konkrete dhe formave tjera të bashkëpunimit”, konsideron Qorraj.

I pyetur se sa ka pasur rritje ekonomike në vend që nga ratifikimi i Projektligjit për MSA-në, profesori Gazmend Qorraj theksoi se kjo pyetje ka përgjigje të shumta por të ndryshme.

“Mendoj që duhet të punojmë shumë për rritjen ekonomike marrë parasysh tranzicionin e gjatë, problemet politike në vend (papunësia, migrimin), problemet rajonale dhe së fundmi sfidën e integrimit në BE”, u shpreh Qorraj për Telegrafin.

Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan më 27 tetor në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke shënuar kësisoj edhe hapin e parë të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Marrëveshja e cila u nënshkrua në një ceremoni në Strasburg, përmbylli negociatat për këtë marrëveshje që filluan në tetor të vitit 2013.

Në korrik të vitit 2014, Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që paraqet hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit të plotë në BE.

SHIKO MË SHUMË

LVV dhe LDK zyrtarizojnë koalicionin në Shtime

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Shtime kanë zyrtarizuar marrëveshjen...

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve...

Kadrijaj pyet për 171 mjekët e kthyer në Kosovë: Ku janë punësuar dhe me çfarë kontratash?

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar...