Presidenti Bujar Nishani ka kthyer mbrapsht ligjin për trajtimin e pronës duke u shprehur se nuk është aspak efektiv.
“Skema e ofruar përmes këtij Ligji për zgjidhjen e problemit sistemik dhe të përsëritur në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin e pronarëve që kanë një vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive sic kërkohet nga GJEDNJ referuar vendimit pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, shprehet Nishani.
Së dyti, shprehet presidenti, skema e ofruar përmes këtij Ligji për trajtimin e dosjeve të patrajtuara apo ato që do të depozitohen rishtazi pas hyrjes në fuqi të ligjit bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit.
Pasi ka paraqitur argumentet e tij të plota, presidenti thotë se ligji bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e GJEDNJ-së, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/


