Presidenti serb, Tomislav Nikoliq ka thënë sot se nuk mund të kopjohet Asociacioni i Komunave Serbe, duke shtuar se në asnjë vend tjetër në rajon apo në pjesë të tjera të territorit të Serbisë, nuk po bisedohet për autonomi substanciale.
Nikoliq ka deklaruar për gazetën beogradase “Novosti” se për Asociacionin diskutohet në territorin e Kosovës, për të cilën “parashihet autonomi substanciale”, dhe Serbia merr pjesë realisht në të.
“Për asnjë vend tjetër në rajon, as në pjesë të tjera të territorit të Serbisë, nuk bëhen bisedime për autonomi substanciale” shtoi ai, transmeton Klan Kosova.
Presidenti serb tha se bashkëpunimi në mes të pushtetit lokal është i mundur brenda vendit dhe përtej kufijve në përputhje me kushtetutën e këtyre vendeve dhe vendimeve të qeverive.
Ky reagim i tij erdhi pas krijimit të Unionit të Bashkive dhe Komunave kryesore që drejtohen nga shqiptarë në rajon.


