Ende nuk dihet nëse do formohet Gjykata Themelore vetëm për katër komunat veriore.
Derisa në një raport të publikuar ditë më parë në Kosovë, thuhet se qeveria e Kosovës, është dakorduar për një gjykatë të tillë. Enver Peci nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se ende nuk është arritur një marrëveshje e tille.
Bllokimi i institucioneve vendore tash e katër muaj nga partitë politike ka ndikuar edhe në zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht sa i përket zgjidhjes së çështjes së funksionalizmin të gjykatave në veri të Kosovës. Ditë më parë mediat patën raportuar se tanimë Qeveria e Kosovës ka pranuar që për katër komunat veriore të ketë një Gjykatë Themelore.Enver Peci nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se nuk bëhet fjalë për themelim të Gjykatës Themelore, jashtë juridiksionit ligjorë të Kosovës, por për rifunksionalizim të asaj ekzistuese.
“Është menduar që të funksionalizohet gjykata në veri, në ndërtesën ku ka ekzistuar dhe me kompetenca për të gjitha komunat që gravitojnë në Mitrovicë, ashtu siç e parasheh edhe ligji për Gjykatat”, tha ai.
Me herët gjatë bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel, ishte paraparë që Gjykata Themelore e Mitrovicës, do të kishte kompetenca për Mitrovicën Veriore, Zubin Potokun, Leposaviqin, Zveçan, Mitrovicën Jugore, Skenderajn dhe Vushtrrinë.
Enver Peci nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës shpjegon zhvillimet e tjerat në këtë drejtim.
” Zgjedhjet në Serbi dhe Zgjedhjet në Kosovë, sidomos mos funksionalizmi i institucioneve tona ka ndikuar në mos finalizimin e kësaj marrëveshje. Asnjëherë nuk është thënë që ato do të punojnë me ligjet tona, por jo edhe jashtë ligjit të Kosovës për Gjykata” , tha ai.
Aleksandër Jabllanoviç, kryetari i Listës Serbe, thotë se pavarësisht ët gjithave kjo Gjykatë do të punoj në bazë të ligjeve të Kosovës.
“Nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje nëse në Mitrovicën veriore, për veriun e Kosovës, do të ekzistonte një njësi e gjykatës themelore, apo të apelit. Këto gjykata do të vepronin sipas ligjeve të Kosovës, por në anën tjetër nuk po e shoh arsyen e frikës së shqiptarëve, rreth hapjes së Gjykatës themelore në veri të Kosovës“ , tha ai.
Ndryshe, ekzekutivi kosovarë gjatë këtij muaji ka dorëzuar në BE, një raport, në të cilin potencohet se në veri akoma funksionojnë mekanizma paralelë, përfshirë gjykatat që ende pranojnë lëndë. Po ashtu në raport, përmendet edhe një strukturë paramilitare që vepron lirshëm atje./rtk/



