E premtja nxori në qendër të Vushtrrisë më shumë qytetarë së zakonisht.
Nikoqire e tubimit të ftuar pas faljes së xhumasë, është Aida Dërguti, deputetja që vjen nga ky qytet.
Por kjo nuk e merr fjalën, ani se për ato që do të thuhen këtu ka shumë interesim.
Nga këtu opozita po kundërshton shndërrimin e fshatit të Prilluzhës në komunë me shumicë serbe.
Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma po shprehin pakënaqësinë ndaj asaj që po e quajnë instalim të Serbisë në Kosovë , nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
Por këtyre, kreu i Vetëvendosjes , Visar Ymeri, nuk iu referua si president e kryeministër.
Ymeri fajësoi dy liderët që përmes tyre Serbia po e zgjeron kontrollin mbi territorin e vendit.
Nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi tha se pas gjitha atyre protestave nga populli kjo qeveri nuk po mbushet mend, por po vazhdon të shkelë kushtetutën e vendit.
Kritikues ndaj pushtetit u tregua edhe anëtari i kryesisë së Nisma-s, Bajram Ajeti.
Ky i fundit por edhe të tjerët opozitarë u bënë thirrje protestuesve që të takohen të shtunën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, për të paralajmëruar protestën e 26 marsit që, sipas tyre, do të jetë më e madhja deri më tani.
Kronikë nga Arjeta Dragaj.


