Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria eInfrastrukturës dhe Konsorciumi fitues“Bechtel&Enka”, të martën kanë nënshkruar kontratën për Autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.
“Në vitin 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës përcaktoi se ndërtimi i projektit te Autostradës ‘Prishtinë-Hani i Elezit’ është projekt prioritar dhe strategjik për infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Realizimi i këtij projekti nisi në qershor 2012, me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për caktimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Rrugës 6. Përcaktimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës ishte angazhimi i kontraktorëve me të mire nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar, të cilët do ta ndërtonin projektin e ri me cilësi dhe parametrat më të mirë ndërkombëtar”, është thënë në komunikatën e Ministrisë së Infrastrukturës. Ministria e Infrastrukturës ka bërë me dije se Projekti i Autostradës “Prishtinë-Hani i Elezit” do te realizohet bazuar në standardet ndërkombëtare TEM (Trans European Motorëay Standards) dhe ka një çmim Fiks (Lump Sum) prej 599,944,263.54 eurosh. “Kjo është kontrata më e mirë dhe më e favorshme e arritur në rajon. Për më shumë se dy vite është punuar intensivisht nga Komiteti Drejtues, zyrtarë dhe ekspertë të shumtë dhe janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore e administrative, për të siguruar transparencë të plotë dhe për ta arritur një kontratë sa më të favorshme ekonomike për një projekt kaq të rëndësishëm për vendin”, është thënë në komunikatë.
Sipas MI-së, pas suksesit të dëshmuar në ndërtimin e Rrugës së Kombit, realizimit në kohë rekorde dhe me standardet më të mira dhe vlerësime e çmime ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës po nis realizimin e projektit të dytë më të madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë. “Kosova po shndërrohet kështu ne nyje të rëndësishme infrastrukturore që lidh popujt dhe vendet, ekonomitë dhe perspektivën zhvillimore si parakusht për integrimet euro-atlantike”, është thënë në komunikatë, sipas së cilës, puna për ndërtimin e kësaj vepre nis më 3 korrik 2014, në orën 11.00 në nyjën lidhëse të Rrugës së Kombit R7 me autostradën e re R6. “Të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të këtij projekti, interesit të madh të publikut dhe qytetarëve të Kosovës dhe përkushtimit për transparencë të plotë të punës së institucioneve të vendit, Ministria e Infrastrukturës njofton se ditën e martë (më 8 korrik) nga ora 9.00-12.00 në lokalet e MI, do të vihet në dispozicion kontrata për ta parë e lexuar të gjithë të interesuarit”, është bërë me dije në komunikatën e MI-së.
Sipas MI-së, ndërtimi i Kosovës është sfidë e përbashkët, prandaj Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës kanë nisur të martën jetësimin e një tjetër vepre të madhe, e cila i kalon përmasat nacionale, duke hapur një kantier të ri ndërtimi me perspektivë zhvillimore për qytetarët dhe biznesin e Kosovës. “Ky do të jetë një tjetër sukses i qytetarëve dhe vendit tonë të dashur, është zhvillim dhe zgjerim i partneriteteve tona strategjike”, është thënë në komunikatë.