Në vendin e quajtur Llazina, në Tërstenik të Komunës së Drenasit, ishte paraparë të ndërtohej një objekt hotelier. Përfitues ishte kompania BI “Natyra”, e cila mori një parcelë 20 arësh për ndërtimin e një hoteli, ku do të investoheshin 200 mijë euro dhe ku do hapeshin tetë vende të reja pune. Por, më pas, ka ardhur një propozim-vendim, që e njëjta tokë të destinohet për ndërtimin e një kishe protestante.
Këtë e ka konfirmuar për Tribuna Channel edhe kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Driton Krasniqi. Ai ka thënë se komuniteti protestant në Drenas është i shtrirë në shtatë fshatra.
“Ne i kemi bërë një kërkesë zyrtare Kuvendit Komunal të Drenasit që të ndajë një parcelë për ndërtim të kishës protestante, si dhe që të shërbejë edhe për varreza. Komuniteti ynë zyrtarisht në Komunën e Drenasit praninë e vet e ka nisur qysh nga viti 1995, pra mbi 20 vjet më parë, dhe deri tani jemi të shtrirë nëpër shtatë fshatra të kësaj komune. Numri i atyre që kanë rrëfyer Jezus Krishtin shkon mbi 120 veta”.
Nga ana tjetër, me datë 23.07.2014, është bërë anulimi sipas propozim-vendimit mbi dhënien në shfrytëzim afatgjatë të tokave komunale, në emër të përfituesit BI “Natyra” me seli në Tërstenik.


