Në gjithë territorin e Komunës së Lipjanit sot festohet dita e 7 marsit, shumë aktivitete nga shkollat e Lipjanit janë mbajtur dje për nder të ditës së mësuesit, po ashtu janë paraparë edhe disa aktivitete edhe gjatë ditës së sotme.
Më 7 Mars të 1887-së, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe. Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike.
Për këtë ditë ka uruar edhe Deputetja nga radhët e PDK-së Selvije Halimi
“Urime 7 Marsi, Dita e Mësuesit!” ka shkruar Halimi, transmeton LipjaniNews.com
Përvjetori i Mësonjëtores dhe Dita e Mësuesit shënojnë një nga elementët kryesorë të Rilindjes, kur përpjekjet e atdhetarëve nën drejtimin e Komitetit Kombëtar sollën çeljen e shkollës së parë të mirëfilltë kombëtare shqipe, të caktuar në qytetin e Korçës më 7 mars 1887.
Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e Komitetit Kombëtar dallohej për fizionominë e saj kombëtare. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, djem e vajza bashkë dhe pa asnjë përmbajtje fetare.
Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa me rreth 35 nxënës, numri i të cilëve pas tre muajsh do të shkonte në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300.
Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj.


