Nazim Bllaca, i vetë-shpallur agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) , organizatë e afërt me PDK’në e Hashim Thaçit në pushtet ka vendosur që të pranoj dënimin e gjykatës kundër tij dhe të e mbaj burgun komplet në burgjet e Kosovës. Pas kësaj ai planifikon të ri-filloi jetën duke kërkuar edhe një vend pune.
Vëllai i tij, Liman Bllaca ka thënë për Express se sipas përllogaritjeve të tyre, në fund të janarit të vitit 2017 (19 janar 2017) Nazim Bllaca duhet të lirohet përfundimisht nga burgu.
“Ai do të përfundoj burgun dde do të jetë qytetar i lir i këtij vendi, si të gjithë qytetarët e Kosovës., do ta gjejë një vend pune”, tha Bllaca për Epxress.
Vëllai i Nazim Bllaca thotë se Nazim Bllaca mburret me tri procese gjyqësore që i ka përfunduar nga të cilat janë dënuar një grup njerëzish me afro 80 vjet burg, disa prej të cilëve tashmë janë në arrati e disa në mbajtje të burgut.
I pyetur nga Express për kushtet e sigurisë në burg, Bllaca ka thënë për Express se kushtet e sigurisë atje janë të mira, por pa u lëshuar në detaje, por ka konfirmuar edhe njëherë se “burgun duhet ta mbaj deri në fund”.
Nazim Bllaca ishte mbajtur deri pak javë më parë në burg shtëpiak, me siguri të ofruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Tash ai është transferuar për të mbajtur dy vitet e fundit të burgut në Burgun e Dubravës, në ‘pavijonin D’ ku është edhe Enver Sekiraqa.
Ky vendim erdhi pasi që Gjykata e Apelit rrëzoi ankesën e mbrojtjes së Nazim Bllacës për të ia numëruar si burg edhe qëndrimin në përkujdesje të EULEX’it ende pa u shpallur fajtorë për vrasjen e Ibush Kllokoqit, vrasje për të cilën Bllaca është vetë-denoncues dhe për të cilin krim ka shprehur pendesë të thellë në gjykatë dhe i ka kërkuar falje familjes.
Nazim Bllaca ishte bërë i famshëm në nëntor të viti 2009 kur denoncoi në publik, krimet që i kishte kryer grupin e tij që ai e quante ‘skuadra e vrasjeve e SHIK’ut’. Ai përmendi si lider të këtij grupi ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Sylën, të cilin si të tillë e njeh edhe gjykata në vendimin për procesin gjyqësor ‘Bllaca II’, por çuditërisht Prokuroria,as e EULEX’it dhe as ajo vendore, nuk e kanë nisur asnjë procedure hetimore penale kundër tij.



