Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, në 71 vjetorin e lindjes.
Kryeministri Mustafa, me këtë rast theksoi se ish presidenti Rugova, është themeltar i shtetit të Kosovës, burri i madh i këtij vendi, i cili me vizionin, mençurinë, urtësinë dhe vendosmërinë e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore.
“Presidenti Ibrahim Rugova është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai u vu në ballë të rezistencës së popullit të Kosovës, të elitës intelektuale dhe të gjitha forcave të atdhetarëve, duke fituar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike perëndimore. Ky bashkim vlerash, solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Mustafa.
Duke iu referuar trashëgimisë intelektuale, politike dhe shpirtërore që Presidenti Rugova ka lënë pas vetes, kryeministri Mustafa theksoi se me jetën dhe veprën e tij kolosale, Presidenti Rugova është bërë sinonim dhe simbol i epokës që solli pavarësinë e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim maksimal do të vazhdojë rrugën e konsolidimit të shtetësisë, integrimit në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrugë e nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova, e cila po vazhdohet me vendosmëri nga qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa. /Telegrafi/


