Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk do të bisedohet me askënd për pronat e Kosovës.
Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit të Serbisë Aleksander Vuçiq, i cili dje në veri të Kosovës tha se për Trepçën do të bisedohet në Bruksel, Mustafa tha se për pronën do të vendoset në Kosovë dhe se prona e Kosovës, nuk do të dialogohet me askënd.
“Ne po i japim peshë pak më shumë deklaratave të tij se sa mënyrës se si ai e ka thënë. Sepse nëse merret bash qysh e ka thënë, ai nuk ka thënë se do të lejojë apo nuk do të lejojë, por do të angazhohet që Brukseli të angazhohet në mënyrë që Trepça të mos shndërrohet në kompani publike. Se a do të shndërrohet apo jo vendosim ne, nuk vendoset në Bruksel. Sepse e thashë dhe në fillim se për pronën vendoset në Kosovë. Dhe prona e Kosovës, nuk do të jetë pjesë e dialogut me askënd”, tha Mustafa.
Ndërsa sa i përket vizitës së Vuçiqit në veri dhe Gazivodë, ku dhe ka deklaruar se këto por edhe Trepça janë prona të tyre, Mustafa tha se nuk i jep rëndësi deklaratave të tilla ditore e të rastësishme.
“Sa i përket pronës, me Kushtetutë dhe pako të Ahtisarit është paraparë shumë qartë, se çdo gjë që është në territorin e Republikës së Kosovës është pronë e republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
E duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës zgjedhja e presidentit Hashim Thaçi është bërë në pajtim me Kushtetutën e vendit, Mustafa tha se një vendim i tillë ishte i ditur, pasi që nuk ka pasur asnjë shkelje në këtë proces. /Telegrafi/


