Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se raporti i fundit i Transparency International dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv janë dëshmi të rëndësishme të progresit të Kosovës.
“Përkushtimi i jashtëzakonshëm i Qeverisë së Kosovës po reflekton në raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare”, ka shkruar Mustafa në faqen e tij zyrtare në Facebook, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri ka thënë se përmirësimi i renditjes së Kosovës në rapotin e TI-së është “rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive”.
Mustafa është shprehur i bindur se Kosova sot meriton të jetë e renditur edhe disa dhjetëra vende më mirë në këtë raport. “Ne do të rrisim edhe më tutje angazhimin që ta bëjmë Kosovën shembull të luftës kundërkorrupsionit në rajon”, ka shkruar Mustafa.
“Rezultatet në këtë drejtim na u konfirmuan edhe nga partnerët e BE-së, të cilët tashmë konsiderojnë se Kosova e ka përmbushur edhe kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Mustafa. /Express/


