Ndërtimi i një muri të betonit nga autoritetet serbe përball Urës së Ibrit që ndan etnikisht qytetin kosovar të Mitrovicës ngjalli reagime të shumta në opinion.
E pas këtyre reagimeve të shumta, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot ka dhënë vendim për ndërprerjen e punimeve të murit në pjesën veriore për të shikuar se ky mur a është pjesë e planit për rivitalizimin e Urës së Ibrit apo jo.
Mirëpo, gjatë ditës, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë matje gjeodezike dhe ka ardhë në përfundimin se perimetri i murit rrethues të rrethrrotullimit nuk është pengues për sheshin, merr vesh Telegrafi.
Kështu, sipas kësaj i bie që është hedhur poshtë vendimi i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor për rrënimin e tij.
Njohës të çështjeve të sigurisë, ndërtimin e këtij muri e shohin si indikacion të tensionimit të situatës.
Kështu ka thënë për Telegrafin eksperti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani.
“Ndërtimi i murit në anën veriore të urës së Ibrit është indikacion për tensionim të situatës. Qartësisht, besoj se niveli i tensioneve të deritashme mund të rritet në vazhdimësi nëse qasja e përbashkët e Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar nuk arrin të ketë sukses”, ka thënë Ramadani.
Ai ka theksuar se muri duhet të hiqet dhe kjo duhet të bëhet në mirëkuptim me komunitetin e atjeshëm dhe me ndihmën direket të partnerëve ndërkombëtarë.
Problemi kryesor, sipas tij, është se nuk është reaguar paraprakisht, qysh në ditën kur ka filluar të ndërtohet muri.


