Lambrecht tha se pret njohjen reciproke të dokumenteve mes dy shteteve, si një hap i parë.
“Shpresoj të ketë një dinamikë të re dhe të dalin vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte hap i mirë”, tha ajo gjatë paraqitjes së përbashkët me Kurtin, raporton Gazeta Express.
Ministrja gjermane ka shprehur mbështetjen e saj për ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake NATO dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, tha ajo, duhet kaluar nëpër disa procese deri te këto arritje.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti shprehi shpresën e tij që me 13 maj të arrihet një marrëveshje përfundimtare për targat, energjinë e papaguar të veriut, por edhe për përshpejtimin e procedurave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.
“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, theksoi Kurti. /GazetaExpress/