Fabregas nuk ka dyshime, Messi do të ishte i pakapshëm edhe në Premierligë.
Lionel Messi ka thyer rekorde historike gjatë karrierës së deri tanishme, por për dallim nga Cristiano Ronaldo, që e ka treguar vetën edhe në Premierligë, argjentinasi vazhdon të luajë në Spanjë në klubin ku u shkoj si 13 vjeçar nga Argjentina, Barcelonën.
Të shumtë janë ata që kanë vënë në pikëpyetje magjinë e Messit në një ndër kampionatet më cilësore në Evropë, por jo edhe Cesc Fabregas, sipas të cilit 30 vjeçari do të ishte i pakapshëm edhe nëse do të luante në Premierligë.
“Pa asnjë dyshim, ai do të ishte lojtari më i mirë edhe në Angli”, u përgjigj Fabregas për Goal kur u pyet se sa do të përshtatej ai në Premierligë.
Mesfushori spanjoll foli edhe për ndeshjen e së mërkurën, sipas të cilit “gjithçka mund të ndodhë”.
“Është ndeshje speciale, jo vetëm për mua, por për të gjithë. Jetojmë për këso momente, duhet të flasim më pak dhe të tregojmë më shumë në fushë”, u shpreh Fabregas.
“Çdo gjë mund të ndodhë, ne duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë tonë. Duhet t’i krijojmë dhe t’i finalizojmë. Kjo do të ishte e rëndësishme për ne”, shtoi Fabregas.
Chelsea dhe Barcelona do të përballen në takimin e parë të Champions League në “Stamford Bridge” të mërkurën nga ora 20:45. /Gazeta Express/


