Mërgim Mavraj është në qendër të vëmendjes para ndeshjes shumë të rëndësishme mes Hamburgut e Wolsburgut.
Ish kampioni i Evropës dhe i Gjermanisë në futboll, Hamburgu, ndodhet në një pozitë të vështirë me rënien nga Bundesliga që është kthyer në opsion real për ekipin verior.
Ky i fundit duhet të fitojë ndaj Wolfsburgut në ndeshjen e kësaj të shtune për të evituar një play off që rrezikon ta dërgojë në një kategori inferiore.
Skuadra ku luan edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Mërgim Mavraj, ndodhet në pozicion të ngjashëm me presionin që ka vuajtur në 4 sezonet e fundit.
Sipas mediave, një rol të madh në shpëtimin potencial këtë fundjavë, mund të luajë dhe mbrojtësi kuqezi.
“Shqiptari që dëshironte të bëhej polic, duket se tani ka vendosur rregull dhe siguri në mbrojtjen e Hamburgut, dhe me lojën e tij mund të rezultojë vendimtar ndaj Wolfsburgut” thuhet mes të tjerave për Mërgim Mavrajn në gazetën “Abend Bladet”.
Mbrojtësi i lindur në gjermani nga prindër nga Kosova, rikthehet pas pezullimit në Bundesliga.
Titulli këtë vit ka shkuar për Bayern Munchen ndërsa rënia e sigurt u konfirmua për Darmstadt dhe Ingolstadt.
Vëmendja tashmë është te Hamburgu, skuadra e vetme që ka luajtur gjithmonë në Bundesliga, që prej krijimit. /Express/


