Më 1989, Noel Malcolm eci këmbë nga Tetova në Prizren: Cili ishte gabimi i madh që vërejti në Gazimestan?

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Rafuna: Problem të zhvillohet biznesi te ne, flitet për sulme nga Serbia çdo ditë

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë në “Pressing” të...

Delegati apostolik vjen në Prishtinë, Presidentja e falënderon që Kosovës iu lejua prania e përhershme në Vatikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë...
Studiuesi dhe publicisti Daut Dauti, në një postim të tij në Facebook, jep detaje interesant për historianin e njohur, Noel Malcolm.

Në këtë bashkëbisedim me Dautin, Malcolm thotë se Ballkani ende ka probleme me tekstet shkollore të historisë, pasi që ato e pasqyrojnë të kaluarën ashtu siç dëshiron politika nacionaliste, transmetno Telegrafi.

Një rishikim të historisë duhet ta bëjnë edhe shqiptarët, sidomos në relacion me Perandorinë Otomane. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk është punë e politikës dhe aspak e Davutoglus, pra e qeverisë turke dhe e asnjë qeverie tjetër. Duke folur për shqiptarët dhe Perandorinë Otomane, ai theksoi se udhëheqësit shqiptarë kërkonin autonomi për shkak që kishin nevojë për mbrojtje nga sulmet e fqinjëve e jo për shkak që kishin dashuri ndaj Stambollit.

Postimin e plotë të Dautit, mund ta lexoni më poshtë:

“Sir Noel Malcolm: Popujt e Ballkanit duhet t’i ndryshojnë tekstet shkollore të historisë së tyre

Dijetari dhe historiani i njohur Sir Noel Malcolm mbrëmë (3 shkurt) ka qenë mysafir në Ambasadën e Kosovës në Londër. Në një bisedë të udhëhequr nga ambasadori Lirim Greiçevci, Sir Malcolm, ka folur për historinë e Ballkanit dhe ka shpalosur detaje të jetës së tij.

Sir Noel, i cili është hulumtues i lartë shkencor në Universitetin e Oxford-it dhe anëtar i Akademisë Shkencore Britanike, ka folur edhe për punën e tij të historianit e cila në botë cilësohet si brilante dhe për të cilën në vitin 2014 Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elisabeth II, e ka dekoruar me titullin Sir.

Pas doktoraturës në histori, të cilën e kishte përfunduar në Cambridge, Malcolm ka filluar të ligjërojë po në këtë universitet. Por, puna e ligjëruesit, siç theksoi ai, nuk i lejonte kohë që të merrej me hulumtime shkencore dhe kjo e kishte shtyrë që të kalonte në një punë tjetër e që ishte pozita e kolumnistit dhe redaktorit të politikës së jashtme në revistën e famshme politike ‘The Spectator’ dhe më vonë në ‘The Telegraph’. Pastaj, vazhdoi hulumtimet nga të cilat dolën disa libra që themeluan autoritet në fushat përkatëse.

Libri i tij i fundit ‘Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Late Sixteenth-Century Mediterranean World ‘ që ka të bëjë më shqiptarët dhe në të cilin autori bëri 20 vite hulumtim për ta botuar në vitin e kaluar, dëshmon për aftësitë superiore të një historiani dhe intelektuali.

Sa ishte student, dhe pastaj edhe kolumnist, Malcolm kishte udhëtuar këmbë në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë dhe kishte mësuar gjuhët e tyre. Në qershor të vitit 1989 nga Tetova kishte ecur këmbë deri në Prizren duke i kaluar malet e Sharrit ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të kësaj ane. Pastaj, me 28 qershor kishte mbërri në Gazimestan dhe ishte ulur ndër rreshtat e parë për ta dëgjuar ‘fjalimin historik’ të Sllobodan Millosheviqit. Pasi që e kishte dëgjuar fjalimin dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e masës kishte ardhë në përfundim se ‘diçka ishte shumë gabim në këtë mes’. Dhe, për të qenë gabimi edhe më i madh, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Millosheviqi.

Një gjë e tillë e kishte shtyrë t’i hynte hulumtimit dhe ta gjente të vërtetën. Duhej vërtetuar se përkrahja britanike për Serbinë ishte ndërtuar mbi gënjeshtra që kishin sajuar historianët serbë dhe politika serbomadhe. Nga hulumtimi i tij shkencor për këtë çështje dolën dy libra (Historia e Bosnës dhe ajo e Kosovës). Këto dy libra ndryshuan jo vetëm shikimin në të kaluarën por edhe kornizën e të menduarit politik për Ballkanin në Britani të Madhe dhe në botë.

Megjithatë, siç cilësoi Sir Malcolm, Ballkani ende ka probleme me tekstet shkollore të historisë pasi që ato e pasqyrojnë të kaluarën ashtu siç dëshiron politika nacionaliste dhe një gjë e këtillë nuk është e shëndetshme për të ardhmen e popujve ballkanik. Një rishikim të historisë duhet ta bëjnë edhe shqiptarët sidomos në relacion me Perandorinë Otomane. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk është punë e politikës dhe aspak e Davutoglu-t, pra e qeverisë turke dhe e asnjë qeverie tjetër, por duhet të bëhet nga historianët të cilët punën e tyre duhet ta bazojnë duke i interpretuar dokumentet apo faktet historike.

Duke folur për shqiptarët dhe Perandorinë Otomane ai theksoi se udhëheqësit shqiptarë kërkonin autonomi për shkak që kishin nevojë për mbrojtje nga sulmet e fqinjëve e jo për shkak që kishin dashuri ndaj Stambollit. Frika e shqiptarëve ishte e arsyeshme pasi që ata nuk mund të krijonin ushtri të veten për t’i përballuar sulmet e ushtrive serbe dhe greke që përkraheshin dhe pajiseshin me armatim nga disa anëtare të Fuqive të Mëdha.

Duhet theksuar se Sir Noel Malcolm është edhe kryetar i Anglo-Albanian Association një shoqatë e vjetër e themeluar nga Edith Durham dhe Abrey Herbert për miqësi të shqiptarëve me britanikët. Pa punën shkencore të Sir Noel Malcolm-it mendimi politik në Britani të Madhe do të ishte në favor të Serbisë, siç ishte më parë, kurse shqiptarët sot do të kishin një pozitë tejet të pafavorshme në Ballkan”, ka shkruar Dauti. /Telegrafi/

 

SHIKO MË SHUMË

Rafuna: Problem të zhvillohet biznesi te ne, flitet për sulme nga Serbia çdo ditë

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë në “Pressing” të...

Delegati apostolik vjen në Prishtinë, Presidentja e falënderon që Kosovës iu lejua prania e përhershme në Vatikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë...

Vazhdon të shtyhet votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin...