Mbështetësve të terrorizmit do t’u konfiskohet pasuria

PUBLIKUAR

Biznesmenit të njohur nga Peja, Fatos Rizvanolli, i cili u arrestua një javë më parë nga policia nën akuzën e financimit të grupeve terroriste shqiptare në ISIS, mund t’i sekuestrohet e gjithë pasuria.

Ai dyshohet se paguante udhëtimet e rekrutëve terroristë jashtë Kosovës. Tashmë, me ligjin e ri për konfiskimin e pasurisë të miratuar këtë javë në Kuvend, atij dhe çdo qytetari në Kosovë që financon terrorizmin do t’i sekuestrohet pasuria në bazë të një neni të veçantë.

Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar, Rrahim Rama ka konfirmuar për Top Channel se në ligjin e ri, për herë të parë futet termi “pronë terroriste”.

“Me ligjin tonë natyrisht që ne e administrojmë edhe pronën terroriste, që mund të përdoret për akte terroriste, apo që është përfituar nga aktet terroriste. Madje, mund të themi se është hera e parë që termi “pronë terroriste” futet përmes këtij ligji në Kosovë, sepse ka munguar në Kodin Penal dhe ligjet e tjera të aplikueshme në vend”, deklaron Rama.

Nga viti 2010, prej kur është formuar Agjencia, në Kosovë janë konfiskuar mbi 50 milionë euro pasuri. “Ne kryesisht administrojmë pasuri nga krimi i organizuar dhe pastrimi i parave. Deri më tani, Agjencia administron mbi 30 milionë euro pasuri në fazën e sekuestrimit. Mirëpo, në nivel republike, pasuritë e kalojnë këtë shifër, arrijnë diku në 55 milionë euro, pasuri që janë në fazën e sekuestrimit”, nënvizon Rama.

Pjesën më të madhe të pasurisë së konfiskuar e përbëjnë makinat luksoze, të cilat qëndrojnë me vite në një depo, në një fshat pak kilometra larg Prishtinës, derisa gjykatat të nxjerrin vendimet përfundimtare për pronarët e tyre. Pas vendimeve për konfiskim, sipas ligjit, ato kalojnë në pronësi shtetërore. /tch/

SHIKO MË SHUMË

Kusari-Lila në Tiranë: Kosova synon integrim më të madh të produkteve vendore në tregun evropian

Ministrja e MINTI-it, Mimoza Kusari-Lila, sot në Tiranë, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë...

220 persona aplikojnë për azil në Kosovë, këta janë shtetasit që prijnë me kërkesa

220 persona kanë aplikuar për azil në Kosovë, që nga janari e deri më...

Sveçla: Gjatë qeverisjes “Kurti 2” u fuqizua siguria dhe u luftua krimi i organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes “Kurti 2”...