Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një njoftimi për media ka sqaruar se personi i arrestuar dje në Qendrën Korrektuese në Dubravë, nuk është zyrtar i kësaj ministrie.
Sipas MASHT-it personi i cili u arrestua duke tentuar të fusë lëndë narkotike brenda hapësirës së burgut të Dubravës është i punësuar në shkollën e kësaj Qendre në Dubravë.
“Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, MASHT ka kërkuar nga Sektori i Inspektimit në Pejë që të marrë informata të detajuara rreth rastit. Sipas raportit të Inspektoratit rajonal, personi i arrestuar nuk është zyrtar i MASHT. Ky person është mësimdhënës i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Teknike “Mithat Frashëri” në Gurrakoc të Istogut, paralelja e ndarë në Qendrën Korrektuese në Dubravë”, ka sqaruar MASHT-i në komunikatën drejtuar mediave.


