Manchester Unitedit i është refuzuar një ofertë prej 73 milionë euro nga Leicester City, për mbrojtësin Harry Maguire.
Edhe pse raportohet se Harry Maguire është i interesuar për këtë transferim, oferta është refuzuar nga Leicester City, transmeton Gazeta Express.
Trajneri Jose Mourinho ka treguar se një nga katër pozitat të cilat dëshiron ta përforcojë gjatë këtij afati kalimtar është ajo e qendërmbrojtësit. Gjatë këtij afati kalimtar, përveç Maguireit, Manchester Unitedi ka shprehur interesim edhe për Leonardo Bonuccin e Milanit dhe Toby Alderweireld e Tottenhamit.
Pas transferimit të Riyad Mahrezit në Manchester City këtë verë, Leicester City nuk është i gatshëm ta humbasë edhe një lojtar tjetër. Sky Sports raporton se drejtuesit e Leicester do të refuzojnë çfarëdo oferte nga Manchester Unitedi.
Pas Botërorit Rusia 2018, Maguire tha se tani është i gatshëm të luajë për ndonjë klub të madh, duke lënë të kuptohet se dëshiron të largohet nga Leicester pas vetëm një viti qëndrimi.
“Çdo lojtar dëshiron të luajë në nivelin më të lartë. Unë sapo jam kthyer nga Kupa e Botës, ku e kam shijuar presionin e madh para lojëve. Leicester City ka qenë i mrekullueshëm për mua dhe jam shumë i lumtur at. Por, unë jam një lojtar ambicioz dhe të gjithë duan të luajnë në klubet më të mira”, ka thënë ai.
25-vjeçari e ka fituar çmimin si lojtari i vitit për Leicester Cityn pas një sezoni mbresëlënës me klubin e tij të ri. Ai u transferua verën e kaluar nga Hull City për 19 milionë euro. /Gazeta Express/


