Fatmir Reçica, një djalë i ri nga fshati Llugaxhi i Lipjanit, me të dëgjuar se shqiptarëve të Maqedonisë u shkilen të drejtat, bashkë me disa luftëtarë ia mësyjnë Kumanovës.
Në Kumanovë do të bënin një deklaratë që të përmushet marrëveshja e Ohrit, e asgjë më shumë, por u tradhëtuan nga dikush dhe nisen një përleshje të madhe me forcat ushtarake dhe policore maqedone. Fatmiri, si shumë bashkëluftëtarë u dorëzuan pas disa ore rezistence. Dy vjet më vonë Gjykata Penale e Shkupit atij ia shqiptojë një dënim kapital, prej 40 vjet burg.

E ky dënim ka shokuar të gjithë, por veçmas familjen e Fatmirit.
Vëllai i tij, Valmir Reçica në një rrëfim për Gazetën InfoPress rrëfen në detaje se si vëllai i tij mori rrugën për në Kumanovë, e gjer te momentin i dënimit prej 40 vjet burg.
“Unë Fatmir Reçica nuk jam terrorist, UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por është ushtri e popullit shqiptar dhe unë jam vetëm një ushtar i kësaj ushtrie”, kishte shkruar Fatmiri në letrën drejtuar popullit të tij.
Jeta dhe vepra e Fatmir Reçicës për mbrojtjen e idealit kombëtar kishte filluar qysh në kohën kur Fatmiri merr emrin e xhaxhait të tij, Fatmir Reçica i njohur me nofkën boksieri, një patriot-ballist i Ballit Kombëtar, e i cili ishte vrarë në vitin 1978 pikërisht në Maqedoni.

Kjo ishte edhe një nga arsyet që Fatmiri merr rrugën për në “frontin” e Kumanovës, bashkë me shokun e tij Fatlum Vishesella i vrarë pikërisht në atë konfrontim të 2015-ës.
Se si Fatmiri mori rrugën për të mos u kthyer më, e thotë edhe vëllai i tij Valmir Reçica, i cili me dhimbje duke e kundërshtuar këtë dënim dhe duke besuar në pafajësinë e plotë të vëllait të tij, Fatmirit.
“Fatmir Reçica është nga Llugaxhija, komuna e Lipjanit. Ai ka punuar në PTK, është i martuar ka 3 fëmijë. Ka krye shkollën e mesme dhe Fakultetin e juridikut, por që i ka mbet në gjysmë. Fatmiri e ka pas shok të shpirtit Fatlum Vishesellen, ai i ka tregu për gjendjen në Maqedoni se si janë duke shkuar gjërat kaq keq për shqiptarët, ku 300 ushtarë të UÇK-së janë mbyll pas luftës së vitit 2001. Edhe ne jemi familje që kemi pas edhe ma herët që kemi humb familjarë nga serbët, bash në Maqedoni. Jemi familje ballistëve, Qaz Llugaxhjes, ku me 1978 e kanë mbyt axhën, i cili e ka pas emrin e Fatmir Reçica e që sot vëllai e gëzon këtë emër të tij dhe e ka arrit qëllimin për çka ka shkuar. Jem shumë krenar me të dhe gjithë shokët e tij”, thotë Valmiri në rrëfimin e tij për InfoPress.

Sipas Valmirit familjarët nuk ishin të informuar për shkuarjen e Fatmirit në Maqedoni dhe i vetmi njeri që ishte në dijeni për këtë ishte pikërisht shoku i tij Fatlumi.
“Jo me familjes nuk e ka përmend po me shokun e tij Fatlum Kadri Vishesella nga Rufci i ri i Lipjanit. Si i ka treguar që shqiptarët në Maqedoni janë të shtypur ai e ka ndjerë veten të obliguar për të shkuar në ndihmë, dhe kështu për ta dërguar amanetin e Ismet Jasharit, Komandat Kumanovës në vend. Në gjykatë ai tha se edhe 100 vite po të më dënoni prapë se prapë do të jem luftëtar i popullit tim shqiptar”, ishin fjalët e Fatmirit teksa e citonte vëllain.
Arrestimin e të vëllait Valmiri e kishte parë dhe dëgjuar përmes televizionit dhe e gjithë arsyeja se pse Fatmiri kishte mbajtur të fshehtë ishte frika se i vëllai Valmiri po i bashkëngjitej në këtë rrugëtim.
“Nuk na ka treguar asgjë para se të nis, nuk kemi ditë asgjë e kemi kuptuar përmes televizionit kur janë dorëzuar, aty e kemi pa në ekran. Aty e kemi kuptuar që ka shkuar. Nuk i ka treguar askujt që do të shkojë në Maqedoni prej frikës që po ju bashkëngjitna edhe unë”, tregon ai me plotë emocion.
Keqtrajtimet mizore ne burg
Tutje vazhdon rrëfimi i Valmirit duke treguar gjendjen dhe ndodhitë pas arrestimit të vëllait të tij mënyrën se si i kishin keqtrajtuar në burg grupin e arrestuar.
“Janë keqtrajtuar në mënyrë mizore, më zi se kafshët, fytyrën e ka pas krejt zi prej keqtrajtimeve dhe se 24 orë i kanë mbajtur në qeli pa dal jashtë as edhe një minutë të vetëm”, ka thënë Valmiri.
Se mizoria po vazhdonte brenda atyre mureve kjo nuk kishte dyshim pasi që shenjat e keqtrajtimeve u publikuan disa herë në media, por që asgjë nuk u ndërmorr në këtë drejtim. Ky grup, por edhe vet Fatmir Reçica në letrën e tij pati përmend tradhtinë që u ishte bërë dhe se qëllimi i tyre nuk ishte lufta, por vetëm një deklaratë me disa kërkesa parësore.
“Qëllimi ka qenë që të dalim me një deklaratë, ku në atë deklaratë kemi pasur kërkesat që duheshin të realizoheshin në dobi të shqiptarëve qysh kur është bërë Marrëveshja e Ohrit, e cila ka qenë vetëm në letër, por jo e zbatuar. Ne u tradhtuam, dikush na tradhtoj, dikush na shiti. Kumanova është tradhtia më e madhe që ju është bërë luftëtareve më të mirë që pati shqiptaria. Fund e krye jam UÇK, jam rrit me UÇK-në, edhe 100 vite po të më dënoni prapë do të jem luftëtar për drejtat e populli shqiptar”, shkruante në letrën e Fatmirit.

Një gjë të tillë e thotë edhe i vëllai Valmiri duke vënë dyshimet në liderin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe për një gjë të tillë çlirimtarët siç i quan Valmiri nuk ua kanë thënë.
“Kjo po dihet që është tradhti. Ma mirë se ata vet nuk e dimë ne, sepse nuk na kanë treguar asgjë për këtë, por vetëm na kanë thanë se herët a vonë e vërteta do të dal në shesh. Edhe pse krejt dyshimet janë te Ali Ahmet, por çlirimtaret nuk na kanë thanë asgjë”, është shprehur ai për InfoPress.

Lajmi për burgosjen me 40 vite heqje lirie pa dyshim që tronditi familjarët, duke i lënë kështu të shokuar dhe në pritje të një drejtësie që do ta tregonte gjithë të vërtetën e këtij ankthi tragjik.
“Është shumë shokuese e tronditëse por po presim nga qeveria e Kosovës që të marr ndonjë hap bashkë me qeverinë shqiptare në Tiranë që të bëjnë më shumë për këta djem se këta ishin luftëtarët e Kosovës, Preshevës dhe Maqedonisë”, përfundoi Valmiri rrëfimn e tij, teska mendja i rrinte në vazhdimësi te vëllai Fatmir Reçica, i dënuar me 40 vjet burg në Maqedoni.


