Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Thomas Meunier, ka thënë se Neymari është shumë bezdisës dhe tinëzar për mbrojtësit e ekipit kundërshtar, por nuk dëshiron që bashkëlojtari i tij të ndryshojë.
Ylli brazilian shënoi nga pika e penalltisë në ndeshjen kundër Reims për Ligue 1, të cilën francezët e fituan dje me rezultat 4-1, transmeton Gazeta Express.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Meunier, i cili është duke performuar edhe vetë mjaft mirë këtë sezon, ndien dhembshmëri për mbrojtësit e klubeve të tjera, të cilët tentojnë ta ndalojnë Neymarin.
“Kundërshtarët zemërohen kur luajnë kundër tij. Ai bën gjëra të papritura me topin dhe kjo gjë është mjaft bezdisëse për mbrojtësit, e kuptoj këtë gjë. Por, kjo është në të mirë tonën”, ka thënë Meunier.
“Dy ose tre lojtarë janë ndëshkuar me kartonë për shkak të tij. Pastaj ata duhet ta kontrollojnë veten dhe Neymari përfiton nga kjo gjë. Ai di si të jetë tinëzar. Kjo është në të mirë tonën dhe na ndihmon shumë”. /Gazeta Express/


