Liberalizimi i vizave: Në momentin që Kosova do ta meritojë – do ta ketë!

PUBLIKUAR

Kosova do të turbullohej nëse do të ndodhte këtë vit liberalizimi i vizave dhe se mesazhet e Bashkimit Evropian nuk duhen të jenë motiv që qytetarët ta braktisin vendin e tyre për bërë jetë refugjatësh në vendet e BE-së, kështu vlerësuan njohësit e kësaj fushe në një prononcim për Telegrafin.

Analisti Nexhmedin Spahiu, tha se Kosova nuk e ka merituar liberalizimin e vizave në këtë moment.

“Nëse kjo do të ndodhte, më tepër se gjysma e Kosovës do ta braktiste vendin. Kjo vjen si shkak i varfërisë në vend, i gjendjes psikike të shoqërisë sonë, dhe do të ishte një veprim i dëmshëm për Kosovën”, tha ai duke sqaruar se qytetarët po mendojnë vetëm për anën pozitive sa i përket njerëzve të kulturës, të biznesit po jo atë negative të saj.

Sipas tij, shteti duhet të punoj që shoqërinë ta bëj të tillë që liberalizimi i vizave të vij natyrshëm.

“Në momentin që Kosova do ta meritoj – do ta ketë. Nuk po i bëhet padrejtësi Kosovës. Liberalizimi i vizave do duhej të ndodh në momentin kur nuk do të kishte një numër të madh që do të ishin të interesuar ta braktisin vendin. Edhe vendet që janë liberalizuar si Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kroacia ka një lëvizje të popullsisë drejt BE-së por nuk është lëvizje e përmasave që do ta rrezikojë ekzistencën e shoqërive evropiane. Jo që do të rrezikohej dikush nga BE po në radhë të parë do të rrezikohej vet Kosova”, konsideron Spahiu.

“Kjo nuk është bërë vetëm nga frika që kosovarët do ta turbullojnë Evropën, por Kosova vet do të turbullohej po të ndodhte në këtë moment liberalizimi i vizave”, ka vlerësuar më tej Spahiu.

Ndërsa sipas analistit Dren Doli, kjo çështje duhet shikuar nga prizmi pozitiv i saj sepse njerëzit duhet të kenë komunikim të drejtpërdrejt me botën e jo vetëm virtual.

“Besoj që procesi i Liberalizimit të vizave i sjell një shtytje lëvizjes së njerëzve në Kosovë, sidomos atyre njerëzve që kanë komunikim me botën e zhvilluar. Në këtë kategori të njerëzve domosdo përfshihen bizneset, studentët dhe përfshihen një kategori e madhe e njerëzve të cilët kanë kontakte të përditshme me institucionet që gjinden brenda vendeve të BE-së”, tha ai.

Ai po ashtu tha se biznesmenët, studentët, hulumtuesit, akademikët duhet të kenë qasje të palimituar në territorin e zonës Shengen.

“Kjo u ofron atyre mundësi shumë më të mëdha mobiliteti dhe mundësi shumë më të mëdha arsimi me këto vende. Natyrisht kjo arsyetohet në zhvillimin e resurseve humane por edhe në zhvillimin, kontaktin si edhe shumë të munguara si në kuptimin ekonomik dhe në kuptimin e përgjithshëm social akademik dhe kulturor që ne e kemi dhe duhet ta kemi me vendet e BE-së”, shtoi ai.

Sipas tij, mosliberalizimi i vizave e thellon tutje izolimin e qytetarëve të Kosovës.

“Mban gjallë imazhin negativ për qytetarët e Kosovës që është zhvilluar në mungesë të kontaktit. Nuk duam të ndodh edhe njëherë ikja e një vale të qytetarëve të Kosovës në vendet e Evropës për të bërë jetën e refugjatëve në vendet evropiane”, përfundoi ai. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Arrestohet një person, dyshohet që ushtroj dhunë psikike në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për ushtrim...

Dhunë në Shtime: Një person bëhet për spital, në pranga 27-vjeçari

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur...

Kjo është gjendja aktuale në pikat kufitare

Pikat kufitare të Kosovës vazhdojnë të funksionojnë pa ngarkesa të mëdha edhe sot. Sipas të...