Legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, e ka kritikuar ashpër Paul Pogbës, pasi që beson se mesfushori nuk dëshiron ta përfaqësojë më klubin e Old Trafford. Keane beson se kjo gjë është bërë e qartë me paraqitjet e francezit.
Shumë tifozë besuan se Paul Pogba e kishte gjetur formën e vjetër tani me Ole Gunnar Solskjaerin, pasi që taktikat e Jose Mourinhos nuk e lejonin atë të përfshihej aq sa dëshironte në fazën e sulmit, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, ringjallja e formës së Pobgës është ndalur këto javët e fundit. Paraqitja e tij në disfatën 4:0 kundër Evertonin e theksoi edhe më shumë këtë gjë për tifozët dhe analistët e futbollit.
Pasi Manchester Unitedi i humbi gjashtë ndeshjet nga tetë të fundit, klubi pati nevojë që Pogba ta qetësojë situatën. Francezi tha për Sky Sports se ai dëshiron të japë gjithçka për klubin dhe bashkëlojtarët e tij. Mirëpo, Keane nuk beson se Pogba ishte i sinqertë.
“Nuk e besoj asnjë fjalë që ai e thotë. Nuk kanë asnjë kuptim. Unë as nuk mendoj se ai i besonte atë që i thoshte. Ai flet për të qenit bashkëlojtari i mirë, djalosh ti duhet të kthehet me vrap në mbrojtje kur kundërshtari yt sulmon”, është shprehur Keane.
“Djaloshi është shumë i talentuar, por ne jemi duke i përsëritur vazhdimisht të njëjtat gjëra. S’mund t’i numëroj rastet kur e kam parë që ai nuk kthehet me vrap kur kundërshtari është në kundërsulm”.
“Ai flet për gjuhën e trupit, por po i ngrite duart në ajër. Ai është një problem i madh”. /Gazeta Express/


