Fernando Morientes beson se ylli argjentinas i Interit, Lautaro Martinez, do të përshtatej mirë edhe në Barcelonë e edhe në Real Madrid.
Lautaro Martinez raportohet se mund ta lërë Interin gjatë afatit kalimtar të verës për të kaluar te kampionia në fuqi e La Ligës, Barcelona, transmeton Gazeta Express.
Sulmuesi argjentinas i shënoi 16 gola në 31 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat për Interin gjatë sezonit 2019/20, para se të gjitha aktivitetet sportive të ndërpriteshin në mars shkaku i koronavirusit.
Si rezultat i paraqitjeve të tij në Serie A, Martinez shihet si zëvendësuesi i përsosur për Luis Suarezin, i cili në janar i mbushi 33 vjeç. Megjithatë, Interi ka insistuar se nuk do ta shesë Lautaron për më pak se 111 milionë euro – që është edhe klauzola për shkëputjen e kontratës së tij.
Në mesin e klubeve të interesuara për Lautaron raportohet të jetë edhe Real Madridi, përkundër që për interesimin e madrilenëve është përfolur më pak.
Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Spanjës, Morientes, beson se Lautaro nuk do ta kishte problem të përshtatej në Real Madrid apo Barcelonë.
“Në Spanjë, ne jemi me fat që kemi shumë lojtarë dhe trajnerë të mrekullueshëm argjentinas. Ata e kanë në ADN të jetë pak më konkurrues dhe kjo është shumë e vështirë të gjendet diku tjetër në botë”, tha Morientes për Sport.
“Barcelona është shumë e interesuar ta transferojë atë, por është përfolur edhe për Real Madridin. Megjithatë, unë mendoj se Barcelona është më e përfshirë”.
“Ai do të ishte një lojtar shumë interesant për të dyja skuadrat. Ai e ka një vizion shumë të mirë të ndeshjes. Ai është njëri ndër sulmuesit më të mirë në botë për momentin dhe mendoj se do të përshtatej mirë në cilëndo skuadër”. /Gazeta Express/


