Kuvendi i Komunës së Lipjanit gjatë ditës së sotme nën udhëheqjen e kryesuesit Daut Azemi ka zhvilluar punimet e seancës së pestë me radhë.
Në mbledhje kanë marrë pjesë kryetari i Komunës Imri Ahmeti, drejtor të Drejtorateve, përfaqësues të shoqërisë civile, media etj.
Në fillim të kësaj seance, Metush Jashari zëvendës komandant i stacionit policor në Lipjan ka dhënë informatë mbi gjendjen e sigurisë për vitin 2017, ku u konstatua se gjendja e sigurisë në Komunën e Lipjanit ka qenë e qetë dhe stabile.
Ndërsa, kryetari Imri Ahmeti ka dhënë sqarime dhe informata rreth çështjeve të ngritura nga asambleistët.
Drejtori për buxhet dhe financa, Latif Ramadani para këshilltarëve komunal ka elaboruar raportin e shpenzimeve të buxhetit në bazë të burimit të mjeteve, kategorive ekonomike dhe programeve për vitin 2017 për Komunë e Lipjanit.
Kuvendi po ashtu u informua rreth lokaleve afariste që janë në pronësi të Komunës së Lipjanit.
Përgjatë kësaj mbledhje anëtarët e Kuvendit kanë shqyrtuar duke aprovuar këto pika të rendit të ditës si: Propozim Vendim për dhënien e pëlqimit për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Lipjanit të vitit 2016 dhe 2017 në vitin 2018, propozim Vendim për fillimin e procedurave për ndarjen e banesave në pronësi të Komunës sipas programit komunal, propozim rregullore mbi taksën administrative për dhënien e lejes së ndërtimit dhe tarifat për rregullimin e infrastrukturës si dhe propozim Vendim për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa.



